“Që i vogël doja të luaja me kushëririn”, Nebihi: Te Flamurtari kapa ëndrrën, ndaj Luftëtarit “treni i fundit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 19:54

“Që i vogël doja të luaja me kushëririn”, Nebihi: Te Flamurtari kapa ëndrrën, ndaj Luftëtarit “treni i fundit”

Kreshnik Nebihi ka realizuar një ëndërr në Vlorë. Që fëmijë ka dashur të luajë bashkë me djalin e xhaxhait dhe kjo gjë iu realizua pikërisht prej Flamurtarit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori kosovar zbulon se ishte pikërisht Bajrami arsyeja pse erdhi në Shqipëri.

kreshnik nebihi

Rroga nuk ka, e megjithatë ai nuk shqetësohet. Nuk kishte si të mos fliste për ndeshjen e kësaj jave, të cilën e quan “trenin e fundit” për kuqezinjtë.

Si e gjeti Kreshniku Flamurtarin?

Te Flamurtari më solli djali i xhaxhait, Bajrami. Ai kishte ardhur këtu para meje. Përveç tij, pata mundësi të vija edhe unë.

Si është të luash me djalin e xhaxhait në të nijetin ekip?

(Qesh) Kjo ka qenë një ëndërr që kur kam qenë fëmijë. Jam shumë i lumtur që më në fund na ka ardhur mundësia që të jemi në një ekip bashkë. Gjithmonë e kam ëndërruar të luaj më Bajramin. Ai ka qenë pjesë e shumë ekipeve të mëdha në Bundesligë. Unë e kam pasur ëndërr që të isha krah tij, ndaj te Flamurtari kjo ëndërr u realizua.

Keni konkurrencë bashkë?

Aspak. Nuk kam konkurrencë me Bajramin, pastaj edhe jemi në pozicione të ndryshme me njëritjetrin. Bajramin është kënaqësi ta kesh në ekip dhe nuk e them se është djali i xhaxhait tim, por për kualitetin që ka. Është mirë për skuadrën, por sigurisht edhe për mua. Po luani si titullar, duket se keni fituar besimin e drejtuesve…? E vlerësoj jashtëzakonisht këtë fakt. Konkurrenca është mjaft e mirë. Edhe pse jemi poshtë në renditje, ekipi është shumë i mirë dhe rivaliteti nuk mungon. Jam i lumtur deri në këtë moment. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm dhe si ekip të vazhdojmë përpara për të marrë sa më shumë pikë.

Keni marrë garanci nga drejtuesit për zgjidhjen e problemeve financiare?

Po, patjetër që kemi marrë. Presidenti po na qëndron afër dhe shpresoj që shumë shpejt do të zgjidhen këto probleme dhe të shkojë para.

Sa rrezikon Flamurtari të bjerë nga kategoria?

Gjendja nuk është e mirë, por gjithmonë ka shpresë. Duhet të luajmë si të ishte ndeshja e fundit. Nëse e bëjmë këtë, besoj shumë se Flamurtari do të jetë një ekip i fortë dhe deri në fund pastaj, mbetet që të shikohet.

Mendoni se ka ardhur koha që të shijoni fitoren e parë me Luftëtarin?

Do të jetë një ndeshje e vështirë me Luftëtarin. Mendoj se është “treni i fundit” për ne. Shpresojmë ta fitojmë këtë takim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"