Qarri: Futbollistët mundën veten, tani kanë radhën të penalizohen. Ja kur do të vendosim trajnerin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 10:29

Qarri: Futbollistët mundën veten, tani kanë radhën të penalizohen. Ja kur do të vendosim trajnerin e ri

Kamza mbetet pa trajner pas largimit të Klodian Duros, por humbja e fundit ndaj Kastriotit ka shtuar shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e kamzalinjëve në Superiore.

qarri-naim-1

“Nuk na mundi Kastrioti, por lojtarët mundën vetveten”. Ky ishte konkluzioni që presidenti Naim Qarri ka nxjerrë nga humbja e fundit e Kamzës, gjë të cilën ai e shprehu në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”. Presidenti ka sqaruar se brenda kësaj jave do të vendoset edhe për trajnerin e ri, por kamzalinjtë nuk po nxitohen, pasi duan të marrin një vendim të arsyetuar. Qarri ka paralajmëruar se tani është radha e lojtarëve që të përballen me ndëshkimet dhe penalizimet e klubit.

Zoti Qarri, pas humbjes me Kastriotin, skuadra është zhytur në një krizë pikësh, si dhe Kamza ishte e shpërfytyruar në atë takim…

Skuadra ka kohë që nuk po merr frytet e asaj pune që ne kemi bërë për ndërtimin e saj. Kemi afruar futbollistët më të mirë të Superiores dhe me të gjithë kemi kontrata jo për të qenë të fundit, apo të diskutojmë mbijetesën. Synimet tona janë që skuadra të qëndrojë në Superiore, jo të jetë kandidate e parë për të dalë nga kategoria.

Kamza

Kemi larguar dhe dy trajnerë të respektuar, lidhur me krizën e pikëve, që po thellohej nga ndeshja në ndeshje. Ashtu siç larguam dy trajnerë të mirë, nuk është çudi që ta nisim edhe me lojtarët. Ndeshja e fundit ishte një humbje që lojtarët ia bënë vetes. Kjo nuk do të kalojë lehtë. Për këtë do të ketë një analizë dhe do të nisim që tani nga ndëshkimet.

 

Mos ndoshta nxitimi në largimin e dy trajnerëve është bërë faktor edhe në krizën e rezultateve?

E thashë dhe më lart, kemi ndërtuar një skuadër me lojtarë të mirë dhe që paguhen më mirë. Nuk mund të duroj dot këtë krizë rezultatesh. Për këtë u detyrova të ndryshoj edhe trajnerët, ndoshta jemi nxituar, por nxitës kanë qenë edhe vetë lojtarët. Gjithsesi, ato ikën, tani jemi duke menduar pasuesin dhe vazhdimësinë e skuadrës drejt rezultateve.

Kamza

Kush do të jetë pasuesi i Duros dhe sa kohë duhet të presim?

Nuk do të nxitohemi në këtë rast. Punët do t’i mendojmë më së miri. Janë disa kandidatë, me të cilët po kontaktojmë. Dy janë qëllimet për të vendosur: Të jetë një trajner që të marrë në dorë situatën dhe të nisin rezultatet pozitive. Së dyti, të mbështesë kauzën tonë.

Se kush do të jetë trajneri i ri dhe se kur do të ulet në pankinë, ende nuk kemi një emër konkret. Sapo ta kemi, ne do ta publikojmë në media. Besojmë se gjatë kësaj jave do të marrë fund zgjidhja. Përveç tre emrave të publikuar më parë, nga ana jonë do të ketë edhe bisedime të tjera, që mund të ndryshojnë dhe vendimin tonë në këtë drejtim.

Ekipi është pa trajner, kur do të nisë puna për ndeshjen e radhës kundër Kukësit dhe kush do ta stërvitë skuadrën?

Deri në ardhjen e trajnerit të ri, skuadra do të stërvitet nga kapiteni dhe trajneri i portierëve. Stërvitjet do të zhvillohen të rregullta dhe për 3-4 ditë ata do të kenë trajnerin e ri.

duro stervitje kamza

Kemi vendosur të zhvillojmë me stafet dhe ekipin një analizë të fortë për ndeshjen me Kastriotin. Për mua ishte një lojë katastrofë, me gafa dhe veprime amatoreske, që sollën atë humbje të pamerituar. Unë mund të them se ne nuk na mundi Kastrioti, por lojtarët mundën vetveten.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"