Qarku i Elbasanit prek fundin, pushteti vendor “fle gjumë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2019 | 9:37

Qarku i Elbasanit prek fundin, pushteti vendor “fle gjumë”

Qarku i Elbasanit, që është një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë, është në krizë totale sa i takon futbollit me të gjitha ekipet që e përfaqësojnë atë.

Elbasani

Sopoti i Librazhdit dhe Gramshi janë në nivelin më të ulët, në Kategorinë e Dytë, Shkumbini është përjashtuar nga aktiviteti dhe e nis në të Dytën sezonin e ri, por aty rrezikojnë të përfundojnë edhe dy skuadra të tjera të qarkut, Turbina e Cërrikut dhe mbi të gjitha Elbasani. Futbolli në këtë qark ka prekur vërtet fundin, por nëse për Gramshin, Sopotin, Shkumbinin dhe Turbinën kjo situatë është e justifikueshme, pasi kanë pasur gjithmonë ulje-ngritjet e tyre ndër vite, asgjë nuk mund ta justifikojë atë që po ndodh me Elbasanin.

Ekipi që është shpallur dy herë kampion i vendit, është lënë në mëshirë të fatit, mban vendin e fundit në Grupin B me vetëm 7 pikë në 12 ndeshje dhe rreziku i rënies në Kategorinë e Dytë është shumë i madh. Në horizont nuk duket asnjë shenjë pozitive për këtë skuadër me traditë dhe histori në futbollin kombëtar, që po dergjet prej disa vitesh në nivelin inferior.

BASHKIA FLE GJUMË – Elbasani duket se ka mbetur prej kohësh peng i një gjyqi të dyshimtë me një kompani angleze, që e mori në administrim, por kjo është vetëm një alibi. Nëse ka vullnet për t’i dhënë drejtim kësaj situate nga ana e Bashkisë së Elbasanit, gjithçka mund të zgjidhet. Por institucioni në fjalë dhe titullari i saj, Gledian Llatja, as që duan t’ia dinë për futbollin, kjo kuptohet shumë qartë. Bashkia e Elbasanit është krejtësisht indiferente, duke e injoruar krejtësisht futbollin.

Llatja-Elbasan-bashkia-1-770x433

Ndoshta njerëzit që e drejtojnë këtë institucion nuk e kanë fare idenë se çfarë përfaqëson Elbasani në futbollin shqiptar, sepse po të ishte ndryshe, do ta kishin marrë mundimin, të paktën sa për sy e faqe, të bënin diçka. Gradualisht edhe njerëzit po mësohen me këtë gjendje dhe nuk u bën më përshtypje. Futbolli në Qarkun e Elbasanit vërtet po “vdes” dhe ata që mbajnë përgjegjësi do të kujtohen vetëm kur të jetë vonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"