Qarku i Elbasanit/ Cila është skuadra e vetme që militon në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 23:41


Qarku i Elbasanit/ Cila është skuadra e vetme që militon në Kategorinë e Parë

U bënë vite që janë larg elitës, por po i mungojnë edhe Kategorisë së Parë. Me rënien e Shkumbinit në Kategorinë e Dytë, i vetmi ekip që mban lart “flamurin” në Qarkun e Elbasanit është pikërisht Turbina.

turbina

Sopoti iu afrua ngjitjes, por nuk kaloi dot përballë Devollit në finalen e “play off”-it. KF Elbasani të paktën shpëtoi, ndërsa AF Elbasani u ngjit si kampione dhe vitin tjetër paralajmërohet një derbi. Për të rënduar situatën, është Gramshi.

Ata u përjashtuan me 5 vite nga gara prej Komisionit i Etikës për trukim. Turbina vërtet vuajti, por mbijetoi ama. Tregoi për të disatin vit me radhë se është një kockë e fortë në Kategorinë e Parë. Edhe pse nuk e kishte shumë të lehtë, e përballoi rivalitetin e madh. Pas një faze të parë për t’u harruar, në të dytën u transformua.

Ardhja në krye e trajnerit Sinan Bardhi, por edhe afrimet e disa lojtarëve me përvojë bënë që të shmangej rënia direkte. Edhe vitin tjetër do të kenë të njëjtin mision, të mos rrezikojnë rënien dhe për këtë nuk do të kursehen as në merkato. Ndonëse e dinë që “malorja” do të jetë më e madhe, do t’i marrin që të gjitha masat për të qenë gati.

Me emra si Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari pritet që gara të jetë “zjarr”. Cërrikasit ndihen krenarë edhe për këtë fakt, pasi do të kenë luksin që të luajë me ekipe që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar.

M.MIRAKA – PANORAMASPORT.AL