Qardaku: Bylisi do të tentojë Europën, ja pse ndihem me fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 14:04

Qardaku: Bylisi do të tentojë Europën, ja pse ndihem me fat

Eridon Qardaku është një nga lojtarët e talentuar të Bylisit, i afruar nga presidenti Besnik Kapllanaj në verën e shkuar. Lojtari shkodran debutoi në Superiore me fanellën e ballshiotëve, ndërsa kontrata e tij është afatgjatë, falë edhe të projekteve dhe strategjisë që kanë drejtuesit me lojtarët e rinj. 

qardaku bylis

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi i krahut shpalos synimet e të tashmes dhe të ardhmes që ai ka me Bylisin dhe jo vetëm. “Erdha në Ballsh sepse klubi kishte synime të qarta dhe për me tepër në ofertën që më bënë m’u plotësuan kërkesat. Jemi në rrugë të mbarë deri më tani dhe shpresoj që të gjithë të vazhdojmë kështu, duke marrë rezultate javë pas jave në takimet e shtëpisë dhe ato në transfertës”, deklaroi fillimisht 19-vjeçari. Ai flet edhe për ambiciet që ka. “Synimet e mia, duke qenë se është viti i parë në Superiore, është që të luaj sa më shumë. Çdo minutë që më jepet rasti duhet që ta shfrytëzoj. Jemi me fat ne të rinjtë që punojmë me një lektor si trajneri Dovedan. Na mirëkupton dhe na përkrah shumë. Këtë duhet që ta shfrytëzojmë në dobi të vetes sonë”, u shpreh më tej futbollisti i talentuar shkodran.

Eridon-Qardaku

SYNIMET – Eridon Qardaku flet edhe për dëshirën që ai ka për të veshur sërish fanellën e Kombëtares U-21. Lojtari ka besim se duke luajtur në radhët e Bylisit, do të riveshë fanellën kuqezi. “Unë kam qenë pjesë e Shpresave. Është ëndërr dhe privilegj njëkohësisht, ndërsa shpresoj që duke marrë sa më shumë minuta në Superiore, të luaj me U-21 sërish. Mendoj se jam në moshën më ideale”, përfundoi i riu shkodran.

RIVALITETI – Bylisi ka një sulm të frikshëm në këtë pjesë të dytë të sezonit, ku kualitetet nuk mungojnë dhe për më tepër lojtarët e talentuar. Saliu Guindo është shënuesi më i mirë, po edhe Antoni Beji nga sezoni i shkuar, por që është operuar pak ditë më parë dhe ka humbur sezonin. Gjithashtu, Qardaku, Mozone, Munjoz, Malçi apo edhe Sallaku e Saliaj e bëjnë Bylisin të ketë një skuadër më vete në sulm. Kjo ka shtuar konkurrencën dhe ka lehtësuar zgjedhjet e Dovedanit.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"