“Pyeta Mesin e Nejmarin para se të vija”, Serxhio Ramos: Të gjithë duan… Parisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 20:47

“Pyeta Mesin e Nejmarin para se të vija”, Serxhio Ramos: Të gjithë duan… Parisin

Ish-kapiteni i Realit të Madridit dhe kombëtares spanjolle, Serxhio Ramos, ka dhënë një intervistë për televizionin zyrtar të PSG-së, klubin për të cilin luan që nga gushti i vitit të kaluar. Kjo ka qenë një intervistë ndryshe e mbrojtësit.

ramos 2

Ai i ka bërë një retrospektivë të gjithë karrierës së tij, që nga fillesat në Sevilje e deri te Parisi. Në intervistën e tij ai është ndalur edhe te Reali i Madridit, duke kujtuar Ligën e Kampionëve të fituar në Lisbonë kundër Atletikos së Madridit, ku ishte vendimtar me një gol në minutën e fundit që e çoi takimin në shtesë e që më pas “Los Blancos” e fituan 4-1.

Na tregoni pak për kujtimet e para…

Ato janë të lidhura me një fushë futbolli në qytetin tim të lindjes, Kamas, në Sevilje. Dhe më pas me flamurin spanjoll, e ndiej shumë, e konsideroj veten shumë patriot dhe krenar që përfaqësoj gjithmonë vendin tim.

Një tjetër pasion imi janë kuajt. I kam dashur që në fëmijëri dhe tani mund të them që jam një mbarështues kuajsh.

Çfarë mund të na thoni për prindërit tuaj?

Babai im punonte shumë, kurse mamaja kujdesej për mua dhe vëllezërit e mi. Ajo dëshironte që ne të kishim një arsim të mirë. Ata janë origjina ime, rrënjët e mia dhe nuk duhen harruar kurrë.

Po për vendlindjen tuaj, çfarë kujtimesh ruani nga Kamasi?

Kujtimet janë vërtet të mrekullueshme. Futbolli është një profesion që kërkon shumë mund, përkushtim. Kam luajtur fillimisht në Kamas dhe më pas u transferova te Sevilja. Do t’i kujtoj gjithmonë vitet e mia të hershme sepse iluzioni që kisha në fëmijëri ishte të luaja për skuadrën e qytetit.

Debutimi me Seviljen…

Debutova me Seviljen përballë Deportivo La Korunjës. Isha vetëm 17 vjeç dhe zemra po më shkulej vendit. Do t’i jem mirënjohës për jetë Hoakin Kaparrosit, i cili më dha shansin e jetës.

Kujtimet më të bukura te Reali i Madridit…

Ka shumë të tilla, por Liga e Kampionëve që fituan në Lisbonë është e paharrueshme. I kishim humbur të gjitha shpresat, por ai gol imi në minutën e fundit ndryshoi gjithçka.

Më pas, të gjitha fitoret radhazi të Champions-it janë kujtime unike. Pastaj të veçanta janë dhe ndeshja ime e parë, goli im i parë ndaj Olimpiakosit… Janë shumë momente vërtet, por nëse më duhet të zgjedh një të veçantë, ai është goli në Lisbonë.

Goli në Lisbonë?

Ishte një skemë që e kishim praktikuar në stërvitje. Me Modriçin kishim një ndjenjë shumë të mirë, kuptoheshim pa parë njëritjetrin dhe e dinim që, kundër Atletikos mund t’i bënim dëm me një goditje dëmtimi apo goditje këndi siç dhe ndodhi. Ai do të jetë gjithmonë goli i jetës sime.

Kujtimet e Kampionatit Europian 2008 dhe 2012 dhe Botërorit 2010 me Spanjën…

Ndihem krenar, sepse mendoj se është diçka e papërsëritshme, është diçka që do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur nga ndonjë ekip tjetër. Fitimi i tri kampionateve radhazi është shumë i ndërlikuar ditët e sotme. Ato suksese janë pasqyrë e punës, mundit dhe përkushtimit të një brezi unik që shpresoj ta përsërisim, por do të jetë shumë e vështirë, sepse futbolli është çdo ditë e më i barabartë.

Transferimi në Paris…

Ishte një moment shumë emocionues, por njëkohësisht edhe i vështirë sepse për shumë vite isha mësuar në Madrid. Gjithsesi, ambicia e PSG-së dhe ëndrra për të arritur suksese të tjera jashtë Spanje më bindi të vij te PSG-ja.

Në Paris kam ardhur së bashku me familjen dhe natyrisht na duhet kohë të përshtatemi. Më pëlqejnë sfidat dhe të rejat. Unë vij për të ndihmuar skuadrën që të jetë në gjendje të fitojë Ligën e Kampioneve.

Çfarë do të thotë PSG?

Aktualisht, jemi skuadra për t’u mundur. Drejtuesit kanë ngritur një skuadër të shkëlqyer dhe tani është koha ta vërtetojmë në fushë këtë. Në futboll nuk fitohet vetëm me fanellë. PSG-ja është një ekip i madh, ndoshta nuk ka historinë e klubeve të tjera në Europë, por mendoj se në klub kanë një projekt unik sportiv dhe tani të gjithë lojtarët duan të vijnë në Paris.

Ambicia…

Ambicia është të fitosh, të sakrifikosh, të luftosh, të bësh më të mirën e mundshme. Kam pasur fatin të fitoj shumë në karrierën time, por uria për të fituar nuk më është shuar. Dua të vazhdoj të fitoj trofe.

Mesi dhe Nejmar?

Para se të firmosja për Parisin kam biseduar me disa lojtarë. Kam folur me Mesin, me Nejmarin, Kejlor Navasin që është si një vëlla për mua. Edhe me të tjerë. Në Paris më ofruan një pritje madhështore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"