Pusi në modë, Skënderbeu gati firmën me një tjetër shkodran/ Mbrojtësi stërvitet me korçarët, por vendos… Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 18:35

Pusi në modë, Skënderbeu gati firmën me një tjetër shkodran/ Mbrojtësi stërvitet me korçarët, por vendos… Vllaznia

Pas sulmuesit Ardit Nikaj, Skënderbeu është gati “t’i rrëmbejë” Vllaznisë një tjetër 19-vjeçar të talentuar. Bëhet fjalë për mbrojtësin Gledjan Pusi, i cili prej ditësh është vënë nën urdhrat e Migen Memellit dhe duket se ka lënë shenja pozitive.

Pusi

Në kushte të tilla, nëse gjithçka mbyllet më së miri për Skënderbeun, pritet që në Korçë këtë sezon të jenë pjesë e ekipit dy “Pusi” nga Shkodra, kjo për vetë faktin se Belajdi Pusi është kushëriri më i madh i Gledjan Pusit që tashmë është vetëm 19 vjeç, por shihet si një lojtar me cilësi dhe mund t’i hyjë në punë mjaft Skënderbeut dhe Migen Memellit për shkak se në skemën me tre qendërmbrojtës korçarët kanë në dispozicion vetëm katër futbollistë si rol natyral.

Kështu që prania e Pusit do të ishte një shans më shumë për Memellin që të shihte repartin plotësisht të dubluar duke qenë se për këtë pozicion mund të përshtatet më së miri edhe ganezi Randi Dumfur.

Për sa i përket Gledjan Pusit, shtatlarti ka qenë deri në qershor të këtij viti pjesë e Akademisë Vllaznia, por më pas, meqenëse nuk i është ofruar firmosja e kontratës si profesionist nga drejtuesit e klubit shkodran, ka kërkuar destinacion tjetër. Skënderbeu duket se është treguar i shpejtë duke e marrë për disa ditë në provë, e cila ka kaluar me sukses dhe tashmë mbetet vetëm konkludimi i marrëveshjes për të qenë futbollist me të drejta të plota të Skënderbeut.

Skenderbeu

VËSHTIRËSIA – Gjithsesi, ende asgjë nuk është e mbyllur plotësisht. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se këtë sezon duket paksa e vështirë që të luajë në Korçë apo të jetë pjesë e Skënderbeut. Kjo për vetë faktin se Gledjan Pusi ende e ka dokumentacionin te Vllaznia si pjesë e ekipit U-19 të shkodranëve me të cilët mund të luajë edhe për një gjysmë sezoni.

Kjo bën që kuqeblutë të jenë të pavendosur nëse duan ta lirojnë që tani lojtarin apo do të shohin edhe për disa muaj prezantimin e tij në kampionatin e moshave. Megjithatëë, Skënderbeu është në pritje të një përgjigjeje për të bërë të vetin 19-vjeçarin Pusi, duke shpresuar se gjithçka do të mbyllet brenda kësaj hapësire merkatoje. Në të kundërt korçarët duhet të presin përfundimin e gjysmës së parë të sezonit për të rinisur tratativat edhe pse deri në atë kohë shumëçka mund të ndryshojë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"