Pusi drejt Azerbajxhanit, Gvozdenoviç: Kam grup të cunguar, por e dua Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2023 | 10:08

Pusi drejt Azerbajxhanit, Gvozdenoviç: Kam grup të cunguar, por e dua Kupën

Belajdi Pusi mund të largohet nga Skënderbeu dhe të vijojë karrierën në Azerbajxhan me klubin Turan Tovuz. “Panorama Sport” mëson se sulmuesi është në bisedime të avancuara me klubin azer, por për të ardhmen e tij duhet edhe miratimi i presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, pasi është në kontratë me korçarët dhe ka rënë dakord pak ditë më parë për rinovimin.

gvozdenovic

Ndërkohë, Pusi do të jetë i gatshëm sot për ndeshjen ndaj Egnatias.

“Jam në bisedime, ende nuk është finalizuar marrëveshja”, deklaroi shkurtimisht shkodrani për gazetën.

Sakaq, Ivan Gvozdenoviç po i bën llogaritë me një grup të cunguar edhe në Kupën e Shqipërisë, kur sot presin Egnatian në shtëpi. Përtej gjithçkaje ai beson se mund ta kalojnë këtë tur, çka e pohon gjatë intervistës.

Gvozdenoviç, ndeshja përballë Egnatias është një provë force për ju?

Padyshim qe po. Me plot gojë mund ta quaj një provë force. Kjo jo vetëm se luajmë përballë një ekipi të Superiores, por mbi të gjitha sepse Egnatia është një skuadër që po bën shumë mirë në këtë kampionat. E kam parë Egnatian me Erzenin dhe me të vërtetë ka një ekip shumë të mirë dhe mbi të gjitha, një trajner si Duro, që unë e vlerësoj.

Ka ambicie Skënderbeu për këtë kompeticion?

Patjetër që po. Të mos harrojmë që ne jemi Skënderbeu dhe asnjëherë nuk hyjmë në fushë për të dalë të mundur. Luftojmë gjithmonë për fitore dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në Kupë. Pa dyshim që objektivi ynë primar mbetet kampionati dhe ngjitja e menjëhershme në Superiore.

Kjo do të thotë se do të shohim një Skënderbe ofensiv në fushë?

Ne nuk do të heqim dorë nga loja jonë dhe mbi të gjitha kam kërkuar nga lojtarët që të jenë solid në mbrojtje, agresiv në mesin e fushës dhe të qartë para portës. Pavarësisht se do të kemi një grup të cunguar nga mungesat, do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë.

Skënderbeu mbetet pa kapitenin Zguro, ndërsa rrezikoi të humbte edhe Temitopen. Keni ndonjë koment?

Normalisht që largimi i Zguros na ka lënë disi bosh në krahun e majtë, por që i tillë është futbolli. Ne për momentin kemi vetëm Zenullarin në atë krah dhe do të reagojmë në merkato për të plotësuar grupin. Nga ana tjetër, Temitope u bashkua me grupin. Nuk do të jetë gati për sot, por e rëndësishme është që e kemi pjesë të ekipit.

Nga ana tjetër edhe afrimet e tjera po vonojnë. Jeni i shqetësuar?

Të them të drejtën klubi ka bërë më të mirën e vet duke marrë lojtarë cilësorë. Randi është pajisur me vizë dhe vjen pas dy ditësh. Nesër presim një përgjigje edhe nga Moraesh. Tani do të shohim për të plotësuar krahun e majtë dhe besoj se jemi në rregull me afrimet.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"