Pusi analizon fazën dhe objektivat: Më pëlqen roli i ri, do të japim 100% për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2022 | 23:16

Pusi analizon fazën dhe objektivat: Më pëlqen roli i ri, do të japim 100% për ngjitjen

Skënderbeu po merr dita-ditës formë të plotë. Skuadra duket se po shkon drejt kompletimit për sezonin e ri. Me Kategorinë e Parë që pritet të jetë “zjarr”, drejtuesit janë përpjekur që të marrin masat. Ruajtën një pjesë të mirë të organikës së vjetshme dhe afruan elementë cilësorë, duke pasur alternativa cilësorë në çdo repart. Përtej objektivave sezonalë, këtë vit korçarët duhet të tregojnë forcën e tyre për kalimin direkt në elitën e futbollit.

Pusi

Qëllimi është që të nisin një cikël të ri dhe duhet thënë që janë në rrugën e duhur. Belajdi Pusi është një nga ata që është angazhuar maksimalisht në këtë projekt dhe ka dalë garant të marrë përgjegjësitë e ekipit mbi supe. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon fazën përgatitore dhe flet për objektivat.

“Ky ekip më pëlqen dhe ne çdo ditë jemi duke dhënë maksimumin e mundshëm për të qenë brenda kërkesave dhe pritshmërive të klubit. Është një grup i ndërtuar mbi bazën e eksperiencës dhe talenteve të reja e duket se po funksionon mirë. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaft të fortë dhe mbi të gjitha shumë efikase. Nuk kemi pasur asnjë dëmtim dhe asnjë problem stërvitor.

Them se është fillimi i mbarë i një cikli të ri këtu te Skënderbeu. Me pozicionin e ri në fushë ndihem mjaft mirë, pasi edhe pse nuk jam shumë pranë portës kam mundësi të ndërveproj me shumë pika kontakti në sulm. Kjo më pëlqen.

Ndryshe nga një sezon më parë ky Skënderbe është ndërtuar shumë më ofensiv dhe kjo na jep mundësi ne sulmuesve që të jemi shumë herë më shumë në qendër të organikës se sezonet e shkuara. Përtej kësaj mund të them se këtë vit kemi një objektiv shumë të rëndësishëm për të përmbushur, ndaj edhe për këtë sezon secili nga ne është i angazhuar 100%”, mbylli prononcimin e tij Belajdi Pusi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"