Pushimi ndihmoi Egnatian, skuadrës rrogozhinase i rikuperohen katër lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 11:25

Pushimi ndihmoi Egnatian, skuadrës rrogozhinase i rikuperohen katër lojtarë

Edhe pse kreu një paraqitje shumë të mirë dhe madje u bë protagonist, duke i pritur mesfushorit durrsak Sherif Kallaku gjuajtjen nga pika e bardhë e 11-metërshit, portieri kavajas i Egnatias, Bruno Puja, duke qenë më i ri në moshë, e ka të qartë se tek ekipi rrogozhinas, për sfidën e radhës ndaj Kukësit të kësaj të shtune, në portë do të jetë Alen Sherri.

egnatia

Shkodrani përbën një nga rikthimet më të rëndësishme në formacionin e Egnatias. Aq më tepër në një ndeshje kaq të fortë e mjaft delikate në transfertë si kjo fundjavë me Kukësin.

Kjo ngaqë ekipi verior po kalon prej disa javësh një situatë mjaft të mirë dhe në fushën e vet dihet se gabon rrallë. Duhet thënë se Sherri ka bërë një sezon mjaft pozitiv deri tani në radhët e skuadrës rrogozhinase.

Pasi nuk luajti ndaj Teutës për shkak të plotësimit të numrit 4 kartonëve të verdhë, Sherri është plotësisht i gatshëm të rikthehet të luajë në rolin e tij si titullar në Kukës.

Forma e Sherrit gjatë gjithë këtij sezoni ka bindur edhe me skeptikun se ky portier me profesionalizmin e tij ka ditur të luajë e mbrojë denjësisht portën e Egnatias.

Madje aktualisht për këto 26 javë të kampionatit portieri i Egnatias, Alen Sherri, vendos rekordin e më pak golave të pësuar sesa tërë portierët e skuadrave të tjera që luajnë në Kategorinë Superiore (vetëm 22 pësime).

RIKTHIMET – Veçmas Sherrit, do të rikthehen në formacion edhe mesfushori Michael Agbekpornu, dhe dy mesfushorët e tjerë Arbin Zejnullai dhe Donald Mëllugja që nuk luajtën ndaj Teutës për arsyen e njëjtë, nga skualifikimi me kartonë.

Emiljano Musta duket sepo e kalon fazën e riaftësimit i ndihmuar edhe nga ndërprerja që pati kampionati prej ndeshjes së mbrëmshme të Kombëtares sonë dhe duke qenë se ndaj Kukësit nuk do të jenë në ekip prej mungesës së detyrueshme të 4 kartonëve, Renato Malota dhe Aleksandër Kacbufi, duket se nga Musta, me përvojën e tij të madhe, deri të shtunën të merren sinjale pozitive mbi rikthimin në rolin e tij në fashën e majtë si mbrojtës apo si mesfushor.

Pikërisht prej riaftësimit të Mustës dhe mungesës së Paulauskas e Emsis që janë të grumbulluar në Kombëtaret e tyre, stafi i Egnatias i refuzoi ftesat që kishte si nga disa ekipe superiore ashtu dhe disa skuadra të Kategorisë së Parë, për ndeshje miqësore për të shtunën e të dielën që lamë pas.

Me kënaqësi konstatohet prej kujtdo fakti se kjo Egnatia e këtij sezoni, ka një kontingjent të mirë futbollistësh në organikën e saj, ku janë të kombinuara si moshat e përvojat, ashtu edhe specifikat e kontribute vepër çdo njërin prej lojtarëve që luajnë në ekip.

Prandaj dhe përballja e radhës me Kukësin konsiderohet si gjithë transfertat e tjera shumë serioze.

Tek Egnatia dinë ta vlerësojnë si duhet Kukësin, duke e respektuar si një skuadër të mirë, por edhe duke mos u frikësuar aspak nga kundërshtarët.

Vetë pozitat komode që mban Egnatia në vendin e 3-të të renditjes, e bëjnë skuadrën rrogozhinase që këtë fundjavë të kryejë një tjetër paraqitje të mirë edhe ndaj Kukësit në sfidën përmbyllëse të fazës së tretë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"