Pushimi i kampionatit, te Teuta punohet për të ingranuar afrikanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 21:48

Pushimi i kampionatit, te Teuta punohet për të ingranuar afrikanët

Sfida me Partizanin po përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana e skuadrës së Teutës. Bregdetarët vijnë në këtë përballje pas dy hapave të gabuara që hodhën përgjatë dy ndeshjeve të fundit, ndërsa Partizani, pas një nisjeje të paprecedentë të kampionatit, duke u pozicionuar në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit pa asnjë gol të shënuar.

Teuta

Teksa Teuta kërkon të bëjë autokritikë, në radhët e “demave të kuq” luhet fati i trajnerit Marko Iuliano, kështu që edhe ata janë të dënuar me fitore. Për këtë arsye dhe për emrin e madh që Partizani ka në futbollin shqiptar, durrsakët po e përgatisin me shumë kujdes këtë sfidë delikate.

Stopimi i kampionatit për angazhimin e kombëtareve i ka dhënë mundësi teknikut Magani të riaftësojë mesfushorin Çyrbja dhe të aplikojë idetë e tij dhe të skuadrës te lojtarët afrikanë, të cilët siç duket nuk janë ingranuar ende me grupin. Kjo periudhë i ka dhënë mundësi teknikut të “Djemve të Detit” të stabilizojë skuadrën për ndeshjen e radhës me Partizanin, e cila do të zhvillohet të enjten, në stadiumin “Niko Dovana”.

Nga vendasit, kjo përballje po pritet me shumë interes, ndërsa “Niko Dovana” pritet të jetë i tejmbushur. Paraqitjet e deritanishme të Teutës kanë bërë që tifozët të kenë një interes më të lartë për sfidën me Partizanin, ndërsa pritet që nga Tirana të udhëtojnë një numër i konsiderueshëm mbështetësish të “demave të kuq”.

Mbetet për të parë në përfundim të takimit se cilit ekip do t’i buzëqeshë fitorja aq shumë e dëshiruar nga të dy kampet. Barazimi mbetet i papëlqyer nga të dy ekipet, pasi vetëm trepikëshi të jep mundësi për t’u ngjitur më lart në renditje.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"