Pushime me ankth për lojtarët dhe stafin e Flamurtarit, ndahet shpërblimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 23:03

Pushime me ankth për lojtarët dhe stafin e Flamurtarit, ndahet shpërblimi

Pushime dhe ankth te Flamurtari. Pavarësisht se lojtarët janë shpërndarë, askush nuk e ka të sigurt të ardhmen. Një qetësi olimpike ka përfshirë klubin, ndërsa drejtuesit nuk kanë kontaktuar asnjë për t’i ofruar rinovimin. “Panorama Sport” mëson se të sigurt janë vetëm pak futbollistë për vazhdimësinë.

FLAMURTARI

Bëhet fjalë për ata që vjet nënshkruan kontratë 3-vjeçare me klubin. Ditmar Bicaj, Shpëtim Moçka dhe Andi Ribaj janë ata që mund ta flenë mendjen. Ata janë të blinduar deri në 2023-shin. Por klubi quan kuqezinj edhe për sezonin e ardhshëm shkodranët Olsi Gocaj, Behar Ramadani dhe Denis Pjeshka apo edhe Alked Çelhakën. Listës i shtohet edhe braziliani Indio Oliviera.

Por, gjithsesi, me këta lojtarë do të ulet edhe një herë për t’u ofruar zyrtarisht rinovimin apo edhe për të folur për ndonjë ndryshim në termat financiarë të kontratës, duke qenë se tashmë skuadra luan një kategori më lart. “Sfida është e hapur për të gjithë lojtarët që ishin pjesë e organikës sonë. Por nuk do të thotë që do të vazhdojmë me këtë kualitet. Nuk është e mjaftueshme kjo që kemi arritur. Asnjë nuk e ka vendin të sigurt”.

Kjo deklaratë e administratorit Sinan Idrizi trazoi jo pak ujërat në Vlorë. Ka edhe një tjetër faktor që shton edhe më shumë ankthin. Sinan Idrizi ka shlyer të gjitha detyrimet financiare ndaj grupit të lojtarëve, duke u dhënë të gjitha pagat. Veç rrogës, ditët e fundit në llogaritë e lojtarëve kanë kaluar edhe premiot.

Klubi shpërndau shumën 10 milionë lekë për të gjithë skuadrën për fitoren e trofeut të kategorisë. Sipas llogaritjeve, lojtarët kanë marrë rreth 600 mijë lekë të vjetër secili. Ata kanë përfituar edhe tri rroga, njëra e muajit të radhës e dy të tjera bonus. Kjo do të thotë se detyrimet janë zeruar, madje lojtarët janë vlerësuar. Kjo gjë shton edhe më shumë ankthin për të ardhmen te lojtarët.

ERMAL SIKA – PANORAMASPOT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"