“Punojmë si një familje”, flet Jonuz: Futbolli që luan Skënderbeu është në favorin tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 10:58

“Punojmë si një familje”, flet Jonuz: Futbolli që luan Skënderbeu është në favorin tonë

Vllaznia luan sot në “Loro Boriçi” kundër Skënderbeut në orën 16:00. Trajneri Mirsad Jonuz, në intervistën për “Panorama Sport”, shprehet i bindur se ekipi do të marrë tri pikë. Ai pret që në këtë takim skuadra të zhbllokohet, pasi deri më tani ka shënuar vetëm një gol.mirsad jonuz

Si është atmosfera në ekip para takimit me Skënderbeun?

Çdo gjë është normale. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe për më tepër ndihen në një gjendje optimale.

 Ndaj Luftëtarit barazuat, ndërsa tani luani sërish në shtëpi. Kënaqeni me një fitore apo edhe një pikë nuk është dramë?

Skënderbeu ka një skuadër të mirë. Luan futboll të bukur dhe kjo mendoj se është në favorin tonë. Ndaj Luftëtarit ndoshta ekipi nuk bëri atë paraqitje që bëri në katër javët e para, edhe pse pati disa mundësi për të shënuar. Një gol mund të kishte bërë që tani të flisnim ndryshe. Luftëtari luajti në mbrojtje dhe na prishi lojën, ndërsa Skënderbeu bën një lojë të hapur dhe kjo do të na bëjë edhe ne që të luajmë më mirë. Normalisht që prania e tifozërisë është një plus i madh për ne në këtë përballje. Do të futemi në fushë për tri pikë. Kjo është alternativa jonë jo vetëm në këtë takim, por kudo që luajmë.

Çfarë u keni kërkuar lojtarëve?

U kam kërkuar dhe do t’ua kërkoj sërish që vetëm të japin maksimumin në fushë. Nëse e bëjnë këtë, atëherë ia kam arritur qëllimit. Ata duhet të tregojnë ato që dinë të bëjnë më mirë. Do të më kënaqte çdo rezultat nëse lojtarët japin maksimumin e tyre.

Në pesë ndeshje keni shënuar vetëm një gol. Si e shpjegoni?

Kjo është pikërisht ajo që po na shqetëson. Prodhojmë shumë, por nuk finalizojmë. Në prapavijë luajmë mirë, por në manovrën sulmuese vuajmë. Shpresoj dhe besoj se që në këtë takim me Skënderbeun do të shënojmë dhe do të kthejmë besimin te goli. Për këtë kemi punuar edhe gjatë gjithë kësaj jave. Uroj të kemi edhe fatin me vete, pasi është pjesë shumë e rëndësishme në një ndeshje.

E ndien ekipi më shumë se duhet presionin?

Jo. Nuk ka pse të jetë nën presion. Lojtarëve u kam kërkuar që të luajnë lirshëm. Të luajnë futboll të fortë dhe me grintë.

Disa nga afrimet e verës nuk po aktivizohen. Nuk ju bindin?

Nuk mund të them se nuk aktivizohen. Pothuajse të gjithë janë aktivizuar, por nuk është e thënë që do të jenë njëherësh në fushë. Të gjithë kanë marrë minuta sipas arsyetimit tim.

Deri tani keni grumbulluar 6 pikë në pesë ndeshje, por jeni në vendin e shtatë. Për ju skuadra po e bën mirë punën?

Për mua ka rëndësi që ne po punojmë si një familje. Ka harmoni, kolektivitet dhe punohet me pasion nga të gjithë. Lojtarët japin maksimumin e tyre, si në stërvitje, e po ashtu edhe në ndeshje. Kjo është pozitive. Mos të nisemi nga vendi ku jemi aktualisht, por nga pikët mund të them se diferencat nga i pari te vendi ku jemi ne, na ndajnë vetëm katër pikë. Ka skuadra që kanë bërë investime të mëdha, si Partizani që është edhe kampione në fuqi, apo edhe Teuta, të cilat kanë vetëm dy pikë më shumë se ne. Ndërsa me ato skuadra që jemi ndeshur, nuk është se kemi qenë inferiorë apo kanë diçka më shumë se ne. Edhe atë takim që humbëm me Tiranën, të gjithë e kanë parë që ne ishim superiorë deri në momentin kur u ndëshkuam nga gabimet tona.

Në çfarë gjendjeje ka ardhur mbrojtësi i majtë, Godfrei?

Nuk do të jetë gati për këtë takim. Ai ka mbërritur vonë dhe ende nuk është ingranuar me ekipin. Nuk është aty ku ne presim. Këtë e kemi diskutuar me lojtarin që kur ka mbërritur. Mund të them se është një lojtar shumë i mirë që do të na vlejë për të ardhmen, por gjithçka do kohën e vet.

Ndaj Skënderbeut e keni ekipin e plotë, do të bëni ndryshime në formacion?

Normalisht që do të ketë edhe lëvizje në formacion. Kësaj here do të besoj më shumë te lojtarët e eksperiencës. Prej tyre do të kërkoj që të bëjnë të mundur arritjen e një fitoreje ndaj Skënderbeut.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"