Punohet për lojën në ajër/ Egbo provon ekipin e Champions-it, ja si pritet të rreshtohen kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2020 | 18:57

Punohet për lojën në ajër/ Egbo provon ekipin e Champions-it, ja si pritet të rreshtohen kampionët

Tirana mbylli ditën e tretë të fazës për gatitore në qytetin e Pogradecit nën urdhrat e trajnerit Emanuel Egbo dhe ndihmësve të tij. Si zakonisht, stërvitja vazhdoi me dy seanca. E para në mëngjes në orën 08:00, ku po njësoj si dhe në ditët e tjera, nuk pati ngarkesë fizike, pasi më tepër u punua me aspektin teknik të lojtarëve.

Tirana stervitje ne Pogradec

Seanca e dytë stërvitore e orës 18:30 nisi vrullshëm, ku vetëm pas dy vrapimeve të lehta rreth fushës, lojtarët u ndanë në grupe dyshe dhe praktikuan disa ushtrime. Përgatitja vazhdoi përsëri me një ndarje të skuadrës me nga dy grupe të mëdha, ku shihej qartë se përdorimi i topit me kokë kishte sërish përparësi dhe i kushtohej një rëndësi e veçantë. Në këtë moment të stërvitjes, pati momente batutash mes lojtarëve si shkak i një ushtrimi konkurrues ku si qëllim ishte futja e topit me kokë në porta të vogla. Seanca u ndërpre dy herë në mënyrë që lojtarët të freskoheshin dhe të pinin ujë për shkak të temperaturës së lartë.

NDESHJA – Në fakt seanca e dytë nisi vrullshëm, por vetëm pas 30 minutash, duke praktikuar ushtrime të ndryshme të mbajtjes së topit me kokë, ushtrime teknike, si dhe ato të rritjes së rendimentit fizik. Trajneri vendosi të bëjë atë që bën gjithmonë në fund të seancës: të zhvillojë sërish një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë.

Ndeshja e kontrollit ishte ndryshe nga të tjerat që janë zhvilluar, pasi trajneri u theksoi dhe u shpjegoi me imtësi rregullat e lojës lojtarëve dhe se topi duhej prekur vetëm 3 herë. Ishte një ndeshje kontrolli e luftuar nga të dyja formacionet që ndau Egboja, ku shihej qartë vullneti dhe angazhimi i lojtarëve për të bërë sa më mirë.

Portieri Lika  dukej se ishte në një ditë të mirë, ku me pritjet e tij duket se jep siguri për portën para ndeshjes për kualifikueset e Champions League me gjeorgjianët e Dinamos së Tibilisit.

Formacioni i mundshem

Nga ajo që u pa skema pritet të jetë 4-2-3-1. Në mbrojtje i vetmi ndryshim është Toli në krahun e djathtë, ndërsa në majën e sulmit me shumë mundësi do të luajë Avdijaj. Pjesa tjetër e ekipit është ajo e zakonshme. Seanca u mbyll më shpejt sot në krahasim me përgatitjet e tjera që janë zhvilluar.

Dukej se vapa dhe ngarkesa e madhe e stërvitjeve në këto ditë kanë lodhur lojtarët, një fakt i cili shihej qartë ku këtë e tregonte edhe lodhja e tyre dhe nxitimi për t’u nisur drejt hotelit ku ata janë grumbulluar. Po ashtu, siç shihej qartë lodhja, po njësoj edhe harmonia e grupit dhe morali i tyre dukej qartë se ishte i lartë.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"