“Punimet për fushën do nisin sa të firmoset kontrata”, kryebashkiakja Sefa: Objektivi i Lushnjës? Të renditemi lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 23:23

“Punimet për fushën do nisin sa të firmoset kontrata”, kryebashkiakja Sefa: Objektivi i Lushnjës? Të renditemi lart

Sezon i ri, probleme të mbartura. Është kjo situata e Lushnjës në prag të nisjes së kampionatit. Infrastruktura lë për të dëshiruar dhe kjo nuk është më gjë e re për verdhejeshilët.

ERISELDA SEFA

Stadiumi “Roza Haxhiu” e ka kaluar vërtet “klasën” dhe ka marrë OK-in e FSHF-së për të luajtur aty, e megjithatë ka domosdoshmëri për ndërhyrje. Fusha është vërtet në parametra të mirë, ashtu si ambientet e brendshme dhe tribuna qendrore. Por, e njëjta gjë nuk vlen për shkallët. Edhe pse punonjësit mundohen që t’i mirëmbajnë, ato janë pa stola dhe të amortizuara. Sikundër dallohet edhe në foton e pubikuar nga gazeta, vazhdojnë të jenë prej… betoni.

Hall më vete pastaj janë terrenet stërvitore. Gjendja e dy fushave pranë stadiumit është skandal. Shpresohet që të ndërhyhet në bashkëpunim me FSHF-në. Vetë bashkia ka lëvruar një fond prej 66 milionë lekësh për të ndërhyrë në fushën e Plugut, megjithatë punimet nuk kanë nisur ende. Trajneri Ilir Gjyla vazhdimisht e ka ngritur këtë shqetësim, pasi shpesh i duhet që të sajohet për të stërvitur ekipin. Situata rëndohet në fluksin e sezonit, kur federata “urdhëron” që të mos përdoren stadiumet për stërvitje.

KRYEBASHKIAKJA – Për të na sqaruar diçka më shumë rreth investimit në fushën e Plugut, flet vetë kryebashkiakja. Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, Eriselda Sefa evidenton se vonesa është procedurale. “Investimi në fushën sportive të Plugut është në procedurë prokurimi. Sapo të lidhet kontrata, ky investim do të fillojë”, është shprehur presidentja e klubit lushnjar. Sikundër është thënë, Lushnja është një klub pa objektiv dhe kjo konfirmohet edhe prej vetë kryetarja.

Pritshmëritë janë sigurisht të larta, megjithatë lojtarët nuk e kanë një synim konkret. “Objektivi ynë për sezonin e ri futbollistik është renditja e Lushnjës gjatë fazës së parë ndër ekipet më të mira të kësaj kategorie. Siç dihet, ne e mbështesim shumë ekipin e futbollit dhe do të kërkojmë më të mirën prej tij”, përfundoi Sefa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"