Punime në stadium, Kastrioti kërkon ndihmën e FSHF-së për ndërhyrjet në impiant

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2018 | 21:46

Punime në stadium, Kastrioti kërkon ndihmën e FSHF-së për ndërhyrjet në impiant

Nëse futbollistët aktualë të Kastriotit po kalojnë një periudhë pushimi, krejt ndryshe është situata te stafi teknik, i cili po punon intensivisht në merkato. Prej ditësh kanë nisur kontaktet me disa futbollistë të njohur të Kategorisë Superiore dhe jo vetëm. Mirëpo, nga stafi teknik po tregohen mjaft të rezervuar sa i takon zbulimit të emrave të futbollistëve, me të cilët kanë nisur bisedimet.

Në sezonin e shkuar krutanët kishin një grup të shëndoshë futbollistësh, gjë e cila bëri që Kastrioti të ishte skuadra më e mirë e Grupit A në Kategorinë e Parë, duke mos e diskutuar ngjitjen në asnjë moment. Një pjesë të mirë të atyre lojtarëve u është ofruar edhe mundësia e rinovimit, megjithatë për të mbijetuar në Superiore duhen të tjera afrime cilësore. Vilson Lila, Emiliano Çela, Klajdi Kuka, Xhynejt Çutra, Sokol Mziu dhe Enco Malindi shikohen si lojtarët e parë nga grupi i sezonit të shkuar që do të rinovojnë me Kastriotin.

Kastrioti

STADIUMI- Një lajm i mirë vjen nga Bashkia e Krujës, e cila ka miratuar fondin për stadiumin, por shuma mbetet e pazbardhur. Me miratimin e këtij fondi u hapet rruga punimeve, të cilat pritet të nisin në harkun kohor të 2-3 ditëve. Rikonstruksioni i stadiumit do të përfshijë tapetin, shkallët rrethuese, dhomat e zhveshjes do të jenë totalisht të reja, do të ketë një sektor të ri për mediat, do të vendosen rreth 3000 stola në pjesën ballore të stadiumit, si edhe një tribunë qendrore e re.

Mësohet se Bashkia Krujë është në bisedime me FSHF-në për të bashkërenduar fondin e investimit, pasi në buxhetin e miratuar për këtë vit ky institucion nuk ka pas plan për stadiumin. Ngjitja në Superiore e bëri të nevojshme këtë ndërhyrje, e cila kërkon fond, ndaj Bashkia Krujë kërkon ndihmë edhe nga FSHF.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"