Pulaku nënkampion Europe, por nuk përfiton asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2014 | 20:13

Pulaku nënkampion Europe, por nuk përfiton asgjë

PulakuPeshëngritja shqiptare bëhet ngre sërish lart flamurin në arenën ndërkombëtare. Pas historisë që bënë pak ditë më parë në kampionatin botëror për të rritur në Almati të Kazakistanit Daniel Godelli dhe Romela Begaj, heroi i radhës kuqezi është Hysen Pulaku. Në kampionatin e 23-të europian për U- 23 që po zhvillohet në Limasol të Qipros, Pulaku fitoi tri medalje: dy argjendi dhe një medalje ari. Në shkëputje, 22-vjeçari do të nderohej me vendin e dytë kontinental; kampion Europe në stilin e shtytje dhe në dygarësh merr medaljen e argjendtë me 369 kg të ngritura në total. Në stilin e shkëputjes Pulaku ka qenë superior në të tria provat. Tenton me 155 kg në provën e parë dhe e kalon me sukses. Në provën e dytë ngre edhe +5 kg në pedanë dhe zot është sërish ai. Në provën e tretë dhe të fundit provon me +5 kg (166 kg) dhe finalizimi ka qenë perfekt, pasi i dhuron medaljen e argjendtë. E arta u mor nga peshëngritësi rus Albert Saiakov me 167 kg të realizuara, ndërsa e bronzta shkoi për bashkëkombësin e tij Viktor Karçenko me 163 kg. Ndërkohë, më emocionuese bëhet shtytja. Pulaku provon të ngrejë 195 kg dhe nuk fal. Te prova e dytë e çon peshën në 203 kg, por siç duket kjo është dita e shqiptarit. Rrezikon tek e treta me 207 kg, por kësaj here dorëzohet në pedanë. Megjithatë, pesha më e lehtë trupore e tij 83.100 kg ndaj sfidantit Saiakov 84.750 kg e favorizon shqiptarin të kurorëzohet kampion Europe në stilin e shtytjes. Në përfundim të garës 85 kg, bateria A, Hysen Pulaku klasifikohet i dyti me 369 kg në dygarësh. Ndërsa kampion i kontinentit do të shpallej rusi Saiakov me 370 kg.
Çudia – Nënkampion i Europës, por Pulaku do të ketë fatin e keq, pasi nuk do të përfitojë asnjë të ardhur nga shteti shqiptar me ligjin në fuqi. Çuditërisht, në vendimin e parë të Këshillit të Ministrave nr.1720, datë 29.10.2008 “Për kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv, për mënyrën e shpërblimit të sportistëve që i arrijnë këto nivele, si dhe për përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive”, kategoria U-23 nuk është e përfshirë në shpërblimin e medalistëve në dygarësh. Në të vërtetë, në kriteret e përcaktimit të nivelit të lartë sportiv janë përfshirë vetëm të rriturit dhe kategoria e të rinjve, që sipas VKM-së shpërblehen në masën 25 për qind të vlerës së përcaktuar për të rriturit.
Pirro Dhima – Interesant ishte fakti që Pulakut ia dorëzoi medaljen europiane Pirro Dhima, president i Federatës Greke të Peshëngritjes, njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Botërore (IWF). Prej kohësh, ish-peshëngritësi i kombëtares shqiptare ka qenë partner i federatës sonë.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"