Pse Shqipëria i “keqtrajton” trajnerët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 20:01

Pse Shqipëria i “keqtrajton” trajnerët

Shqipëria i “keqtrajton” trajnerët. Jo ata të Kombëtares, por të kampionatit. Nuk bëhet fjalë vetëm për Dritan Mehmetin, i shkarkuar pas një miqësoreje (rast unik). As për Shkëmbin, Ahmatajn, Memën, Cungun, Dalipin, Devollin, Mezanin, Plorin, e shumë të tjerë të brezit të tyre. Ata janë të rinj dhe natyrisht që do të kalojnë mjaftueshëm prova “alla shqiptarçe” derisa ta mësojnë se: ose të ulin shpinën ose të ndërrojnë profesion. Problemi është mjedisi ku punojnë dhe çfarë i rrethon trajnerët tanë në përgjithësi.

Collage Maker-12-Aug-2022-08.00-PM

 

Shqipëria i “keqtrajton” trajnerët sepse më të suksesshmit e dekadave të fundit i emërojnë dhe i shkarkojnë si pa të keq. Shikoni çfarë ka ndodhur këto vite me Mirel Josën, Ilir Dajën, Shpëtim Duron, Skënder Gegën dhe Edi Martinin. Kanë fituar trofetë më të rëndësishëm në vend. Si shpërblim i kanë hequr në mënyrat më të çuditshme dhe më të mbrapshta. Shqipëria është një vend që nxjerr nga moda Ernest Gjokën që fitoi titullin pa asnjë humbje. Heqin Egbonë në javën e dytë pasi ktheu titullin te Tirana. Nxjerrin në pension Hafizin, Starovën, Muçën, Dedjen se me demek duhen ide të reja. Mirëpo u bënë vite që futbollit në këtë vend ia ka marrë mendjen vetëm një ide: njëshi i bën të gjitha. Dhe njëshi është presidenti. Pra, titullin e fiton Ai, në Europë i çon Ai, merkaton e bën Ai, marketingun e bën Ai, çmimet e biletave i vendos Ai, talentet i përzgjedh Ai, akademitë i mbikëqyr Ai dhe në fund faturën e paguan… trajneri. Kemi klube që mezi paguajnë lojtarët dhe humbin gjyqe brenda e jashtë vendit për rrogat e pashlyera, por ama kanë luksin të ndërrojnë nga 3-4 trajnerë në sezon. Ky nuk është vetëm “keqtrajtim”, është një tallje e madhe. Tallje deri në dhimbje. Sepse mirë që trajnerëve shqiptarë federata u thotë prej 20 vitesh se nuk do të drejtojnë kurrë Kombëtaren sado të suksesshëm të jenë, por tani i heqin njësoj edhe kur fitojnë edhe kur humbasin. Pa mëshirë.

Prandaj nuk e kanë fajin të huajt që vijnë nga jashtë me një mori premtimesh dhe fjalë të bukura. Ata nuk e njohin Shqipërinë, por kontratat i “qepin” mirë. Dhe kur e kuptojnë se ligjin e bën gjithnjë Ai, shtojnë lavdet për presidentin derisa të mos mbajë ujë pilafi dhe në fund ikin. Pa keqardhje. Po pse ndodh kjo? Sepse shumica e presidentëve nuk e kanë biznes të parë klubin e futbollit dhe rrjedhimisht e shohin ose si lodër, ose si angari. Disa syresh madje kanë bërë rrumpallë me paratë e bashkive. Ndodh sepse presidentët nuk e shohin trajnerin si pjesë të një projekti që me ndihmën e tij mund të realizojnë një objektiv të caktuar. Jo, më së shumti ata e shohin se sa i bindur është dhe nëse pranon kontratë me “fjalë burrash”. Nuk merret fare parasysh që sa më shumë trajnerë të ndryshojnë aq më pak seriozë duken. Këtu ndryshojnë trajnerët pa kriter, edhe sepse për fat të keq një pjesë e tyre janë të pakualifikuar. Dikur Bajko me shokë shkonin në Koverçano, ndërsa tani mjafton të shkosh në Kamzë. Dhe ne këtu presim shkarkimin e radhës. Të trajnerit, jo të presidentit…

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"