“Pse nuk pason, kush je ti?”, zbulohen dy lojtarët e Luftëtarit që u përplasën me njëri-tjetrin pas ndeshjes me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 10:43

“Pse nuk pason, kush je ti?”, zbulohen dy lojtarët e Luftëtarit që u përplasën me njëri-tjetrin pas ndeshjes me Skënderbeun

Plas te Luftëtari pas ndeshjes së djeshme në Korçë. Rojet e sigurisë së stadiumit janë parë të shqetësuar në momentin që lojtarët janë futur në dhomat e zhveshjes. Tone të larta, ofendime, por edhe përplasje mes lojtarëve dhe sende të goditura. Pasi kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, lojtarët kanë filluar të përplasjen me njëri-tjetrin, fillimisht duke u ofenduar për atë që kishte ndodhur gjatë 90 minutave në fushë.

Luftetari ndaj Skenderbeut

“Panorama Sport” mëson se protagonistë kryesorë të sherrit kanë qenë kapiteni Donaldo Açka dhe mesfushori Joan Çela. Dera e dhomës së zhveshjes është mbyllur brutalisht nga njëri prej futbollistëve dhe këtu ka nisur gjithçka. Mes lojtarëve ka pasur jo vetëm përplasje verbale, por edhe duar të zgjatura.

“Pse nuk pason? Kush je ti? Çfarë të duket vetja? E di me cilin ekip po luan?”, këto janë disa nga shprehjet që u dëgjuan më së shumti, përveç ofendimeve.

Mirëpo, ndërhyrja e lojtarëve të tjerë ka qetësuar situatën mes atyre që ishin më të irrituar. Një pjesë e lojtarëve kritikonin shokët e ekipit për mosimpenjim, duke sjellë kështu një situatë kaotike. Përplasja mes futbollistëve është pranuar edhe nga trajneri i Luftëtarit, Neritan Novi, i cili ka justifikuar ekipin me faktin se në kushte  të tilla kur mungojnë rezultatet, përplasjet janë normale.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"