“Pse i bie topit kot o dreq?” Stadiumi bosh nxjerr “zbuluar” protagonistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2017 | 20:53

“Pse i bie topit kot o dreq?” Stadiumi bosh nxjerr “zbuluar” protagonistët

Ndeshja Skënderbeu – Teuta, e vlefshme për gjysmëfinalen e parë të Kupës, ka ofruar një atmosferë të akullt në Korçë në mungesën e tifozëve për shkak të dënimit që ka marrë klubi bardhekuq nga FSHF-ja me dy ndeshje.

I pari që ka ndier vështirësinë e të ambientuarit në këtë takim ka qenë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili, para se të fillonte ndeshja, i ndodhur në dhomën e tij, ka shprehur zhgënjimin për këtë takim. “Hajde shiko tani këtë ndeshje pa tifozë. Sa shëmtuar duket ndeshja kështu”, ka qenë pohimi i presidentit të Skënderbeut.

Daja

Interesimi për këtë takim ka qenë i madh në Korçë, por fakti që luhej me dyer të mbyllura ka bërë që shumë persona, të cilët kanë qenë rregullisht pjesë e tribunës, të qëndronin jashtë duke mos pasur mundësinë ta ndiqnin takimin nga stadiumi. Veç kësaj, tribuna qendrore me dy delegacionet e ekipeve ka qenë e heshtur dhe dëgjohej çdo fjalë e lojtarëve në fushë, por dhe dy trajnerëve që drejtonin skuadrat e tyre.

I pari që e ka nisur me udhëzime në fushë ka qenë trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, i cili që në minutën e tretë të takimit filloi duke udhëzuar Micin në çdo vendosje apo rivënie anësore që bënte. Kritikat në harkun kohor të 7 minutave kanë qenë të shumta, saqë e kanë detyruar Micin të kundërshtonte trajnerin e vet. “Po më qetë o burrë, më qetë! Duro pak!”, ka thënë Mici në drejtim të trajnerit të vet.

Pas 10 minutave të para, gjithçka e ka marrë në dorë Magani. Trajneri peqinas i Teutës fillimisht e ka nisur me Bruno Ditën, duke i kërkuar më shumë efikasitet në mesin e fushës. “Bruno, kontrollo mesfushën, mos u sill kot vërdallë”, ishte kritika e parë e Maganit drejtuar mesfushorit.

Skenderbeu bankina

Mirëpo, trajneri i Teutës nuk e ka mbyllur me kaq. Në qendër të kritikave ka qenë mbrojtësi i djathtë i ekipit, Beqja. “O çun, o Fabio. Po pse i bie topit kot, o dreq! Fute në lojë…!”, vijoi Magani për ta vazhduar më pas me Hoxhën. “Rustem, qendra është e jotja, por kujdes me dublimin në krah, bravo!”.

Fakti që çdo fjalë në fushë dëgjohej në tribunat e stadiumit bëri të mundur që edhe bisedat e lojtarëve të zbardheshin. Më efikasi në fushë nga të dy ekipet ka qenë Tefik Osmani. Trajneri në fushë i Skënderbeut ishte pikërisht korçari, i cili nga mesfusha shoqëronte me zë çdo lëvizje të ekipit duke i udhëzuar shokët e ekipit në çdo top që kishin në këmbë.

Por Osmani ka qenë edhe në rolin e negociatorit në një moment, kur Vangjeli i kërkon llogari Orelesit për një top të humbur në një zonë të rrezikshme të fushës. “Lëre, lëre Kristi, mos e shaj”, është dëgjuar zëri i Osmanit.

Nga ana tjetër, dy trajnerët në distancë kanë replikuar me arbitrin e katërt duke i kërkuar secili llogari më vete. I pari ka qenë Daja që ka pretenduar për një faull në favor të ekipit të tij që kryesori Hamiti e ka bërë gati për ta sinjalizuar, por ka ndërruar mendje. Më pas ka qenë Magani ai që ka kërkuar llogari duke pretenduar se rivënia i takonte Teutës. E gjitha kjo është zhvilluar në një kohë duke krijuar iluzionin se dy trajnerët po debatonin me njëri-tjetrin.

Daja ne kembe

Arbitri Hamiti ka qenë më i kritikuari në fushë nga lojtarët e Skënderbeut për disa vendime të marra dhe të pamarra. I pari që e ka bërë një gjë të tillë ishte Salihi, i cili ka kërkuar ndëshkim për Tarikun në një ndërhyrje të ashpër ndaj Vangjelit. Më pas e ka vijuar edhe Radas në kthimin e një situate të favorshme për Skënderbeun, ndërsa Vangjeli i ka vënë kapakun gjithçkaje: “O arbitër ishte faull në 16-tësh, jo në mesfushë, ku e dërgoi topin portieri”.

Batutat mes Dajës dhe Maganit janë mbyllur në fund të takimit, kur Daja duket se ka ngacmuar Maganin për humbjen e djeshme, ndërsa trajneri peqinas ia ka kthyer miqësisht. “O Ilir, mos e vrit mendjen se do të mundesh në Durrës”, ka qenë batuta e Maganit, i cili ka krijuar humor mes dy trajnerëve që janë përqafuar miqësisht.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"