Prova të dështuara dhe pak gjetje interesante, ja gabimet e Mançinit te italia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 23:37

Prova të dështuara dhe pak gjetje interesante, ja gabimet e Mançinit te italia

Disfata kundër Gjermanisë vërtet djeg, por Italia nuk mund të tronditet më shumë sesa duhet dhe të shtyjë autoritetet përkatëse të ndërmarrin revolucione rrënjësore. Fundja, katër ndeshjet e Ligës së Kombeve ofruan edhe spunto interesante. Më të drejtë, Roberto Mançini pas humbjes me Argjentinën, vendosi të testonte të gjithë lojtarët e grumbulluar. Shumë të rinj dhe probleme normale për situata të tillë.

MANCINI

Problemi më i madh ishte në gjetjen e golit që u bë edhe më i dukshëm kur trajneri zgjodhi Skamakën apo si të martën ndaj Gjermanisë kur nuk kishte një pykë. Fitorja me Hungarinë mbuloi disa boshllëqe, ndërsa barazimi me Anglinë la vend për optimizëm të tepruar. Italisë në “Wembley” nuk i mungoi vetëm goli, por problemet e Anglisë bënë që kampionët e Europës të evidentonin cilësi që ende nuk i kanë në nivelet e nevojshme për të konkurruar me superfuqitë futbollistike të kontinentit të vjetër.

FAJET E MANÇOS – Humbja 5-2 ndaj Gjermanisë ishte e merituar dhe ky është fakt. Nojer vërtet bëri disa mrekulli, por edhe Donaruma shpalosi shumë aspekte të repertorit të tij. Faji, nëse duhet identifikuar, ishte i Roberto Mançinit. Vërtet Liga e Kombeve nuk është maksimumi, por për një Itali pa Botëror për të dytin edicion radhazi mund të ishte një pikënisje e re. Përballë ishte Gjermania e kjo nuk duhet harruar. Eksperimentet e Manços pranohen, por një trajner me të tillë përvojë nuk duhet të neglizhonte apo të harronte fuqinë e rivalit. “Axurrët” në Gladbah u shkrinë si borë në diell dhe se si përballen të tilla sfida, Gjermania e tregoi në mënyrën më të mirë. Mjafton të shihej gëzimi i Vernerit me shokë në golin e katërt për të kuptuar se talenti e përvoja duhen, por kombëtarja ka nevojë për lojtarë që urinë e tregojnë.

NOTA POZITIVE – Në këtë minicikël të Italisë pati surpriza pozitive. Vilfrid Gnjonto ishte pa dyshim një prej tyre. Goli dhe asisti ndaj Gjermanisë ndihmuan evidentimin e 18- vjeçarit, ndërkohë që pozitive ishin edhe ndeshjet e Federiko Gatit që në debutim u tregoi vendin Herri Kejnit dhe Abrahamit. Xhorxho Skalvini ishte një tjetër notë e lartë e “Axurrëve”, pavarësisht se Mançini e hodhi në fushë ndaj Gjermanisë kur çdo gjë ishte kompromentuar.

Për të mos u nënvlerësuar janë edhe sinjalet e Lorenco Pelegrinit që u shënoi gjermanëve në ndeshjen e parë dhe më pas Hungarisë. Roli i tij do të vijë në rritje brenda Italisë ashtu siç mund të ndodhë me Tonalin që pas Milanit synon të bindë edhe kombëtaren se meriton një rol protagonist.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"