Prova për golin, përmbyset 11-shja e Skënderbeut përpara Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2022 | 14:23

Prova për golin, përmbyset 11-shja e Skënderbeut përpara Dinamos

Rikthehet shija e elitës në Korçë. Skënderbeu do të pres Dinamon të dielën, ekip më të cilin deri vjet luanin në “Abissnet Supeirore”.

Skenderbeu stervitje

Të dyja patën të njëjtin fat. Nuk e shmangën dot rënien, por këtë verë janë forcuar ndjeshëm dhe kanë të njëjtin mision: ngjitjen direkte.

Në fushë do të jenë 26 tituj kampionë në Superiore, 18 të bluve dhe 8 të korçarëve. Mjafton kaq për të treguar historinë dhe vendin që këto dy skuadra kanë në futbollin shqiptar.

SULMI – Skënderbeu është drejt mbylljes së përgatitjeve për ndeshjen e javës së dytë. Pas barazimit 1-1 në transfertë me Tërbunin, korçarët kërkojnë që të ndryshojnë shumëçka nga ajo paraqitje dhe mbi të gjitha finalizimin drejt portës.

Janë bërë prova të shumta për të ndrequr “shënjestrën”, por prova e së vërtetës do të jetë pikërisht nesër.

Migen Memelli ka vendosur dukshëm të kryejë disa ndryshime në lojë, me qëllim që t’i japë një “marsh” më shumë ekipit në fazën sulmuese, por edhe për të mbajtur balancat e palëvizura në prapavijë.

NDRYSHIMET – Në të tilla kushte gjithçka do të ndryshohet në ekipin bardhekuq, veç portës, e cila do të mbetet e paprekur. Referuar provave të bëra gjatë kësaj jave, Ruçi do të jetë në portë nga minuta e parë.

Ndërsa para tij, këtë herë dyshja e qendrës së mbrojtjes pritet që të formohet nga Prençi dhe Rapa. Ky i fundit luajti në mesin e fushës në ndeshjen e parë, në pozicionin e ekranit.

Shkodrani Beci do të ulet në stol për t’i bërë vend gjirokastritit, ndërsa mbrojtja do të kompletohet me kapitenin Zguro në krahun e majtë dhe Frashërin në të djathtë.

Mesi i fushës sheh shqiptaro-maqedonasin Alii në pozicionin e ekranit dhe Liçon së bashku me Pecanin nga brenda mesit të fushës. Një zgjedhje e tillë pritet që t’i japë Skënderbeut më shumë freski dhe mbi të gjitha vizion loje, pasi bëhet fjalë për dy lojtarë të rinj që janë të përshtatshëm për linjën e organizimit.

Edhe sulmi pritet që të ndryshojë disi pasi me Temitiope, që do të jetë me shumë mundësi jashtë ekipit për këtë ndeshje si pasojë e dëmtimit të pësuar në takimin e parë të kampionatit, tredhëmbëshi ofensiv do të ndryshojë paksa.

Pusi dhe Lika do të jenë lojtarët anësorë të kësaj ofensive me ganezin Abubakar, që do të jetë në majë të sulmit.

Kjo pak a shumë është ajo çka Memelli ka provuar ditët e fundit, për të vënë ekipin përballë Dinamos, në një ndeshje që gjithkush në Korçë e do të fituar.

SKE (1)

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"