Prova e “zjarrit”, Bardhi: Humbja me Korabin na largoi vetëbesimin e tepruar, jemi të dënuar për të marrë pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2020 | 12:56

Prova e “zjarrit”, Bardhi: Humbja me Korabin na largoi vetëbesimin e tepruar, jemi të dënuar për të marrë pikët

Besëlidhja do kthesën, rrugë tjetër nuk ka. Një tjetër gabim, do t‘u kushtonte shumë dhe në Lezhë e kanë më shumë se të qartë këtë gjë. Në 180 minutat e fundit kanë marrë vetëm një pikë dhe është realisht pak për një ekip që pretendon ngjitjen në elitë. Skuadra duhet të tregojë veten pikërisht sot, kur do të përballet me Erzenin. Luajnë në shtëpi, ndaj fitorja kthehet në detyrim. Ultimatumi që ka dhënë presidenti, i ka shkundur jo pak. Nëse nuk vjen autokritika, lojtarëve do u preket edhe “xhepi”.

Bardhi

Të vendosur para kësaj situate, lezhjanët do të zbresin në fushën e lojës vetëm për të marrë maksimumin nga “prova e zjarrit”. Këtë e thotë edhe vetë Sinan Bardhi, në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport” para këtij 90-minutëshi. “Përballemi me Erzenin pas një humbjeje që pësuam në Peshkopi. Kjo është edhe humbja e parë e sezonit dhe shpresoj shumë që të mbetet e vetmja për Besëlidhjen. Këto dy ditë që patëm në dispozicion, i shfrytëzuam maksimalisht për të rikthyer energjitë dhe besoj se ia kemi arritur qëllimit. Skuadra është shumë mirë, si fizikisht ashtu edhe moralisht dhe kjo është pozitive për ne”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës.

REFLEKTIMI

Trajneri sqaron se skuadra është zgjuar nga vetëbesimi i tepruar që e kishte kapluar në 5 javët e para dhe këtë do ta tregojë përballë shijakasve. “Humbja me Korabin nuk ishte fundi i botës, por një kambanë e fortë për Besëlidhjen. Besoj se na ka zgjuar nga vetëbesimi i tepruar që kishim ndoshta në këto javë të para. Kampionati është i gjatë dhe do të mobilizohemi për të shfrytëzuar si duhet grupin që kemi në dispozicion dhe duhet thënë që kemi vërtet cilësi. Jam i bindur se do të reflektojmë. Me këtë ekip që kemi, do të vijë edhe autokritika”, theksoi tiranasi.

KUNDËRSHTARI

Nuk ngurron që të vlerësojë kundërshtarin, e megjithatë e ka të qartë se kthesa është “detyrë shtëpie”. “Shijakasit kanë një skuadër që meriton respekt nga të gjitha pikëpamjet, por rregullat e fushës dhe objektivat, na detyrojnë që të kryejmë detyrën. Jemi përgatitur vetëm për fitore, ajo është rruga e vetme”, përfundoi trajneri i Besëlidhjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"