Prova e së vërtetës, Shkëmbi do kthesën e madhe ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 19:00

Prova e së vërtetës, Shkëmbi do kthesën e madhe ndaj Skënderbeut

Teuta kërkon me patjetër të ringrihet, ndaj po përpiqet që të “arkivojë” një orë e më parë humbjet me Kukësin dhe Luftëtarin. E kaluara do hidhet pas krahëve, por jo gabimet. Pikërisht këtë po përpiqet të bëjë edhe stafi teknik prag-Skënderbeut. Ndoshta nuk është rivali i duhur për të tentuar autokritikën, por në kampin durrsak askush nuk i trembet askujt. Të gjithë janë të bindur se me punë mund t’ia dalin.

Shehi dhe Shkembi

Me këtë “moto” kanë nisur përgatitjet dje pasdite. Edhe pse fillimisht duhet të kalojnë Turbinën (për llogari të ndeshjes së dytë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë), vëmendja qëndron vetëm të kampionati. Trajneri e ndau ekipin në dy grupe, ndërsa lojtarët që kanë më pak minuta në këmbë u përqendruan te përballja me cërrikasit, kurse lojtarët që shihen si titullarë vijuan programin për korçarët.

Përballë janë kampionët në fuqi të vendit, por njëherësh edhe skuadra që nuk njeh humbje prej 4 vitesh në “Niko Dovana”, konkretisht që prej 26 prillit të 2014-ës. Të gjithë janë të bindur që edhe korçarët kanë të “meta” dhe janë gati për të përfituar e për të ndëshkuar skuadrën që deri tani është e pamposhtur. Trajneri – Humbja në Gjirokastër hapi një tjetër “plagë”, atë të mbrojtjes dhe të pësimit të tre golave, gjë që nuk ndodhte nga sezoni i kaluar me Laçin (më 23 maj 2018), ku skuadra pësonte katër gola.

Bledi Shkëmbi, në një bisedë me “Panorama Sport”, theksoi që ndaj Luftëtarit ekipi nuk luajti ashtu siç ai e priste: “Zhvilluam një ndeshje të dobët duke mos treguar fytyrën tonë të vërtetë, duke mos hyrë asnjëherë në lojë. Pësuam tre gola dhe u ndëshkuam lehtë, gjë që na shqetëson. Këtë javë duhet të rregullojmë çdo gjë, pasi koha nuk na premton asgjë, duhet të rikthejmë besimin dhe dëshirën që na mungoi ndaj Luftëtarit”. Java e 6-të e përball me ishskuadrën, e megjithatë kujtimet e shumta do të zerohen në 90 minuta lojë. Vetë trajneri e thotë hapur që duhet kthesa. “Pa dyshim që Skënderbeu është një kundërshtar tepër i fortë. Kryeson kampionatin, por ne po punojmë fort për të bërë kthesën pikërisht ndaj tyre”, mbylli shkurtimisht korçari i pankinës durrsake.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"