“Protesta në Vlorë për ekipin”, legjenda Sokol Kushta: Ju tregoj rrugën si mund të zgjidhet ngërçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 16:20

“Protesta në Vlorë për ekipin”, legjenda Sokol Kushta: Ju tregoj rrugën si mund të zgjidhet ngërçi

Ditëlindja e 98-të, e gjeti Flamurtarin në situatën më të vështirë të historisë së klubit. Legjenda vlonjate, Sokol Kushta, është ndër ata që e ndien dhe e përjeton me shumë dhembje këtë gjendje të vështirë. Ndihet keq teksa i duhet që për “Panorama Sport”, të japë një koment në këtë përvjetor. Gjithsesi, ai ka edhe një thirrje që të gjithë të bëhen bashkë për një qëllim të vetëm, të shpëtojnë Flamurtarin.

SOKOL kUSHTA

“Ky përvjetor na erdhi në formën më të keqe. Shumë njerëz interesohen, kanë keqardhje dhe nuk janë dakord me këtë Flamurtar, që festoi 98-vjetorin në gjendjen më të keqe në të gjitha anët. Më vjen shumë keq, përse nuk bashkëpunojnë, mërziten ose votojnë në shumë forma që të rinovohet ky ekip që vuan. Flamurtari u rrit, por pas viteve 1981-1991, ku në bazë të statistikave në këtë 10- vjeçar ka arritur kulmin në Kupë, kampionat dhe Superkupë.

Këto janë statistikat që të bëjnë të madh. Mua më vjen mirë që i përkas kësaj plejade. Le të mos bëhemi cinikë e të lëmë të vdesë çdo gjë, vetëm që të mos na e kalojnë ne. Një njeri duhet të jetë shumë i ngushtë nëse mendon që asnjë brez të mos ngrihet mbi brezin tonë. Kam qenë edhe trajner i Flamurtarit në 2000-2001 dhe jam munduar të sjell më të mirën time, pavarësisht se sistemi të ndalon të ecësh përpara në forma të ndryshme. Forma më e keqe është mosprivatizimi. Duke ia lënë në dorë një privati, ekipi do të rregullohet në formën më të mirë të mundshme”, shprehet Kushta.

RINGRITJA- Për Kushtën ka shumë mënyra për ringritjen e ekipit. Madje, edhe përmes revoltave të tifozëve, gjë që në Vlorë nuk po ndodh. “Ka shumë forma për ta ringritur Flamurtarin, që nga privatizimi, bashkëpunimi dhe ingranimi i institucioneve. Pra, bashkëpunimi i institucioneve me tifozët. Vlora nuk është e një njeriu, e një partie. Vlora është e të gjitha partive, është e një komuniteti shumë të gjerë. Ka tifozë në shumë qytete, të shpërndarë në shumë shtete dhe po t’i pyesësh, të gjithë janë të pakënaqur nga Flamurtari.

Të ngrihen shoqatat, mund të bëjnë edhe protesta. Një revoltë sikurse e bënë tifozët në Shkodër. Besoj ata e kanë ndjerë shumë Vllazninë që ishte në nivel të dobët, por kjo gjë në Vlorë nuk po ndodh. Unë jam munduar që të mos bëj heroin. Por, jam një pjesë e këtij komuniteti që e dua Flamurtarin me gjithë zemër, që i kam sjellë shumë kënaqësi. Po të kisha mundësi më shumë, prapë do ta bëja”, shprehet legjenda vlonjate.

PËR TË RINJTË – Ish-sulmuesi e shikon të gabuar afrimin e lojtarëve të rinj te ekipi i parë. Sipas tij, ata duhet të rriten, por e shikon si zgjidhje të detyruar.

“Unë e kuptoj se këtu nuk ngeli asgjë dhe lojtarët vlonjatë erdhën të detyruar nga ekipi i të rinjve. Jo se kishte ndonjë strategji, pasi strategjia fillon që me 14-vjeçarët, në rritjen e tyre, në implementimin me ekipin e parë. Nuk mund të marrësh direkt 15 lojtarë nga të rinjtë. Ajo është një prurje e detyruar. Vetë atyre lojtarëve nuk u bën mirë. Kjo ardhje është e katapultuar nga ekipi i të rinjve për hall. Skuadra e parë furnizohet gjithmonë nga të rinjtë në mënyrat e veta, me rritjen e lojtarëve. Kurse tani lojtarët e të rinjve po rriten në ekip të parë dhe ky është gabim”, përfundon Kushta.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"