Protagonisti Kazazi: Padrejtësi, m’u mohua gol i rregullt! Arbitri Hoxha gaboi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2019 | 18:49

Protagonisti Kazazi: Padrejtësi, m’u mohua gol i rregullt! Arbitri Hoxha gaboi

UVIL ZAJMI

Ka qenë e do të mbetet autori i njërit prej golave më të bujshëm, nëse do të ishte vlerësuar i tillë. Për vetë Kazazin, skuadrën, klubin dhe historinë e Kupës. Por, ai u anulua duke mbartur në vete enigmën e një vendimi të arbitrit Arsen Hoxha, që në harkun e 60 sekondave do të kthente fatin e takimit e të trofeut.

Naim Kazazi, duke folur për Panorama Sport copy

Si i kujton Naim Kazazi, 11-shi i kavajasve, dy përballjet, atmosferën para takimit të dytë dhe momentin kur realizoi golin e dytë. Si e kujton ai anulimin befasues të golit dhe lojën që vazhdoi formalisht nga dëshpërimi i futbollistëve kavajas. Revolta e trajnerit Gërmeni dhe kthimi kokulur natën vonë në Kavajë.

Pasionant i natyrës, pas gati 40 vitesh, ndërsa flet duke iu rikthyer me detaje atij 90-minutëshi të paharruar, ka ende emocion. Pastaj nuk harron të kujtojë: “Besa ka pasur një skuadër shumë të mirë në ato vite, e vështirë për çdo kundërshtar. Në formacion ishim dy Naimë, unë dhe Allaj”, shton me humor.

Naim, diçka për karrierën tuaj?

Fillimisht e nisa me të rinjtë e Besës. Nga 1973-’77 kam kryer shërbimin ushtarak trevjeçar në Patos dhe kam luajtur me “Punëtorin”. Pastaj një periudhë edhe me Apoloninë, me dy vëllezërit Noke. U lirova në ’77-ën dhe u riktheva te Besa që kishte trajner Rexhep Spahiun. Ndeshja e parë në formacion ka qenë kundër Lokomotivës. Karriera ime si lojtar i Besës vazhdoi deri më 1983.

Naim Kazazi bashkë me Mullaliun copy

Flasim për Kupën, ndeshja e parë 2-1 për Besën?

Në çerekfinale patëm eliminuar 17 Nëntorin. Mbaroi 0-0 në Kavajë, ku kujtoj se kam humbur një gol të sigurt dhe 1-1 në Tiranë, ku për ne shënoi Mullaliu. Me Vllazninë në Kavajë u zhvillua një ndeshje korrekte dhe me një tifozëri shumë të madhe në numër. Fituam dhe arbitër kujtoj ka qenë Hyqmet Kuka.

Po në Shkodër çfarë ndodhi?

Kishim besim, ndonëse nuk do të luante prej një dëmtimi Bajaziti. Ai ishte goleadori ynë dhe normalisht një mungesë e madhe. Në sulm ishte Mullaliu, Shtini si sulmues i majtë i shpejtë si zakonisht me numrin 11 dhe unë. Uniforma ishte bojë deti e hapur, si gurkali, me të mbathura të bardha.

Cila ishte atmosfera para takimit?

Një natë përpara në Shkodër kishin ardhur tifozë nga Kavaja, duke udhëtuar me të gjitha mjetet që mund të gjenin: nga makinat e rastit, kamionë, tren, deri edhe në këmbë nga Lezha në Shkodër kanë ecur. Tifozllëk dhe interesim i madh. Kanë fjetur nga 2-3 në hotel në dhoma bashkë me ne futbollistët. Aty u lanë u shpëlanë.

Pjesën e parë e mbyllët në avantazh…

Arbitër ishte caktuar Arsen Hoxha me dy anësorët nga Fieri. Goli i parë ishte një dalje në sulm, Shtini spostohet nga e majta dhe kroson ultas. Unë bëj sikur godas, hap këmbët te rrethi 16m, Mullaliu që vinte pas meje gjuajti saktë në diagonal me të jashtmen tokazi dhe 1-0 për ne. Rezultat me të cilin mbaroi pjesa e parë. Vendësve u duheshin 3-4 gola për të marrë kupën, thuajse e pamundur.

Vijmë te goli i dytë, ai i anuluar….

Rreth mesit së pjesës së dytë, në një kundërsulm nga krahu i djathtë, Shtini pason te Pagria, që me mjeshtëri ma kaloi topin vertikal pas shpinës së dy mbrojtësve. I nisur nga një pozicion i rregullt, i kaloi ata të zënë në befasi, zotërova topin bëra disa hapa brenda zonës, me gjakftohtësinë më të madhe, i vetëm përballë portierit që kishte dalë, godita me qetësi në të djathtën të tij dhe gol. Shkuam 2-0 për ne dhe lojtarët që vijnë e më përqafojnë, madje shkuam afër tifozëve tanë.

Çfarë ndodhi më pas?

Të sigurt për rregullsinë e golit e ndërsa po gëzonim, disa ishin ende te stoli ynë… Por, kur jemi kthyer nga fusha kemi parë që loja kishte filluar dhe Vllaznia po shënonte. Për momentin nuk kuptuam asgjë. Gjithçka në harkun e 60 sekondave ndeshja u barazua në 1-1. Anësori Pogaçe kishte sinjalizuar për pozicion jashtë loje golin tim. Arbitri Hoxha pa pritur që ne të ktheheshim në fushë, filloi lojën ndërsa po festonim e ndodheshim jashtë fushe. Ajo që më ka mbetur peng, është sesi nuk e mora topin me vete gjatë festimit, që ai të mos kishte mundësinë ta rifillonte aq shpejt.

Çfarë kishte ngjarë?

Pasi anësori ka bërë me shenjë për pozicion jashtë loje, që siç më kanë thënë ata që e kanë parë ndeshjen, për pasigurinë e Pogaçes, ul e ngri flamurin, Arseni ka urdhëruar shkodranët ta nisnin lojën me shpejtësi. E kuptoj se nuk ishte faji i tyre, sepse vendimin e mori ai. Në atë çast në fushë mund të kenë qenë vetëm 5-6 lojtarë kavajas dhe Hakiu në portë. Një situatë befasuese kjo për ne dhe askush nuk po kuptonte asgjë çfarë po ndodhte.

Si vazhdoi ndeshja?

Pas barazimit, ne vazhdonim protestën tek arbitri, madje kujtoj se Dupi e ka goditur me shpullë në kokë vijërojtësin dhe nuk pranonim të fillonim lojën. Deri kur trajneri Gërmeni na futi me zor, pasi edhe 1-1 për ne ishte një rezultat që na shpallte fitues. Kujtoj që edhe shkodranët rrinin si të hutuar, pa ditur çfarë të bënin.

Në pak minuta 2-1 për Vllazninë. Çfarë ju kujtohet nga ato momente?

Në një situatë të tillë, aspak normale, loja rifilloi me ne të çorientuar totalisht. Goli i dytë erdhi menjëherë dhe në pak minuta nga 0-1, apo 0-2 për ne (i anuluar), në 2-1 për shkodranët. Pas golit të anuluar dhe për padrejtësinë e hapur që na u bë, ishim moralisht dhe fizikisht të demoralizuar. Nuk na bënin këmbët më. Besoj se e kuptoni gjendjen tonë në fushë.

Ndeshja përfundoi 5-1, si u shënuan golat e tjerë?

Ne e lëshuam krejtësisht lojën, e në 15 minuta shkodranët duke përfituar nga hutimi ynë realizuan edhe 3 gola të tjerë, madje ndeshja mund të përfundonte edhe më thellë. Nuk u rreshtuam për ceremoninë, dhe kur Skënder Begeja po dorëzonte kupën, trajneri Hasan Germeni i nervozuar, nga dëshpërimi nuk përmbahej dhe bërtiste me të madhe “Kupa është e jona! Padrejtësi! Kupa është e jona, na takon neve…”.

Kur u kthyet në Kavajë dhe si u përjetua ajo ngjarje?

Ajo ndeshje më rikthehen edhe dëshpërimin e tifozëve tanë që fytyrat e tyre i kam para syve ende. Ne kishim një autobus të vogël, prodhim Shkodre me shofer Ilia Tabllo. Kujtoj Haziz Bejtagën, masazhatorin, Zen Mullaliun, një lojtar dhe djalë i jashtëzakonshëm, që sot ndodhet në Itali, por edhe futbollistë të tjerë, grupin e atyre ndeshjeve, nga Arkaxhiu, Dupi, Allaj, etj. Atë natë u kthyem vonë, kokulur, të mërzitur dhe dy ditë nuk dolëm në stërvitje. E gjithë Kavaja, që e kishin parë në televizor takimin, kishte mbetur shumë e zhgënjyer për padrejtësinë që na u bë nga arbitrimi.

Dhe sot, pas kaq vitesh, mendoni se ishte padrejtësi?

Sigurisht që ne nuk kishim informacion se çfarë thoshte rregullorja për këtë rast. Por, më pas në biseda me kolegë, miq, gjyqtarë të kohës, të gjithë ishin të mendimit që edhe sikur goli të ishte i parregullt, arbitri duhet të priste që ne të riktheheshim në fushë, pastaj ta fillonte lojën. Fundja, kështu është rregullorja edhe sot apo jo? Ky do të ishte veprimi më normal që duhet të bënte gjyqtari Hoxha, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe njerëzor. Edhe sot pas 40 vitesh e them me bindje të plotë, jo vetëm unë, por këdo që të pyesësh, që ka qenë i pranishëm atë ditë në stadium, apo e ka parë në televizion se ai ishte në vendim i gabuar dhe që e prishi ndeshjen. Gjatë javës, në FSHF shkuan përfaqësues të klubit, bashkë me Bet Vilën si kavajas për t’u ankuar, por federata e mbylli pa asnjë koment apo reagim publik, duke e arkivuar në heshtje ngjarjen. Ndeshja është transmetuar direkt në televizion dhe do ishte kuriozitet i madh ta rishikonim sot atë moment që unë e tregova realisht si ka ngjarë.

SHËNIM

Gazeta “Sporti” raporton se anësor ka qenë Tahir Kastrati, por autori i artikullit pretendon se anësor ka qenë Napolon Angjeli, i cili sot jeton në SHBA.

Gazetari i njohur/ Bashkim Tufa: Një skandal i vërtetë!

Gazetari njohur i gazetës “Sporti”, Bashkim Tufa, ishte në stadium atë ditë dhe pohon se ajo që ndodhi në Shkodër ishte skandaloze. “Unë kam parë edhe takimin e parë në Kavajë, ku Vllaznia luajti shumë mirë. Atë ditë, në Shkodër kam qenë në stadium dhe deri kur Besa shënoi golin e dytë, loja ishte normale.

bashkim tufa copy

Për çfarë ndodhi dhe minutat që vijuan pasi Kazazi shënoi golin që u anulua, ka qenë një skandal i vërtetë. Situata degjeneroi pasi arbitri anuloi golin e rregullt të kavajasve dhe nga rezultati 2-0 që i kualifikonte, në pak minuta shkoi në 2-1 për Vllazninë. Kujtoj se lojtarët kavajas ishin duke festuar kur arbitri Hoxha e anuloi për pozicion jashtë loje. Ai urdhëroi portierin që të rifillonte menjëherë lojën dhe kujtoj që ai pasoi te Ferid Rragami që u nis i vetëm, pastaj ia dha Luçit që e përfundoi në gol.

Por, ndërkohë, në fushë ishin vetëm disa lojtarë kavajas. Topi u vendos në qendër dhe mes polemikave, ndërmjet lojtarëve kavajas dhe arbitrit, ky vërshëlleu për fillimin e lojës dhe të befasuar, të hutuar, në një situatë aspak sportive në fushë, shkodranët shënuan golin e dytë. Pastaj nuk pati lojë, sepse kavajasit të demoralizuar e lëshuan krejtësisht dhe ajo u mbyll 5-1. Në një atmosferë të tillë, në një konfuzion të plotë, u zhvillua edhe ceremonia… Ndërsa për shkrimin në ‘Sporti’ lidhur me ndeshjen, atë e bëri një gazetar i njohur, por nga presioni i krijuar u botua pa emër”, rrëfen Tufa për “Panorama Sport”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"