Protagonist në Champions, mbrojtësi zikaltër nuk kërkon të ndalet: Duam t’i fitojmë të gjitha, jemi Interi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2022 | 12:54

Protagonist në Champions, mbrojtësi zikaltër nuk kërkon të ndalet: Duam t’i fitojmë të gjitha, jemi Interi

Denzel Dumfris ishte në dyshim për sfidën ndaj Viktoria Plzenit, jo për shkak të ndonjë dëmtimi, por pasi Simone Inzagi po konsideronte seriozisht që të aktivizonte në krahun e djathtë Mateo Darmian. Në fund ama fanella e titullarit i takoi holandezit, që me atë që dha në fushë i tregoi trajnerit se bëri zgjedhjen e duhur.

dumfris

Ishte ndeshja e tij e nëntë me ngjyrat e Interit në Champions League dhe e 15-ta në gjithë karrierën e tij, por kaq mjaftoi që mbrojtësi, i cili luan i avancuar në 3-5-2- shin zikaltër të gjente golin e tij të parë.

26-vjeçari shënoi golin e qetësisë pas një kundërsulmi vrasës të tij dhe të Xhekos, në një mbrëmje ku nuk munguan sprintet, me të cilat na kishte mësuar sezonin e shkuar dhe që e bënë të ishte në qendër të merkatos së shumë klubeve europiane.

E duke përfituar nga momenti, Dumfris nuk do të ndalet më, madje ka përcaktuar qartë objektivin e tij: vazhdimësinë.

GOLI NDAJ ÇEKËVE “E dinim që nuk do të ishte e thjeshtë përballja ndaj Viktoria Plzenit, por kemi bërë mirë, jemi treguar të duruar dhe kemi shfrytëzuar momentet tona, edhe pse mund të kishim shënuar edhe më shumë. Unë përpiqem gjithmonë të ndihmoj skuadrën dhe pastaj nëse vjen goli jam shumë i lumtur, si në këtë rast. Më pëlqen emocioni i golit, përpiqem ta gjej sa më shumë të jetë e mundur dhe ndaj Plzenit jam fokusuar shumë në saktësinë e shënjestrës, sepse ndonjëherë është ajo që më mungon. Rrjetën ua dedikoj shokëve të mi të skuadrës. të gjithë bashkë jemi më të fortë dhe jam shumë i lumtur që kemi pasur një paraqitje të tillë”.

OBJEKTIVAT “Pas fitores ndaj Torinos, ishte vendimtare të fitonim edhe në Champions League dhe ia kemi dalë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe pastaj për tjetrën. Është e rëndësishme që t’i marrim sfidat njëra pas tjetrës dhe të gjejmë vazhdimësinë, pasi po kthehemi dalëngadalë në nivelet tona. Ndeshja e radhës është Udineze, ata janë të fortë, nuk do të jetë e thjeshtë, por ne kemi besim në cilësitë tona. Rrugëtimi në Europë? Është vërtet një grup shumë i vështirë, por ne duhet të vazhdojmë kështu. Jemi Interi dhe duhet të synojmë t’i fitojmë të gjitha përballjet”.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"