Pronari: Kam pritur 5 vite për qeratë e shtëpive; Idrizi: Nuk u dal për zot, të bllokohen llogaritë bankare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 10:05

Pronari: Kam pritur 5 vite për qeratë e shtëpive; Idrizi: Nuk u dal për zot, të bllokohen llogaritë bankare

Borxhi i shtëpive me qira të ish-trajnerëve Hulian Rubio dhe Ernest Gjoka, duket se është një hije që po ndjek nga pas Flamurtarin. Ilir Pejo, pronari i shtëpive, është i vendosur që ta çojë deri në fund këtë çështje, por nuk do që të dëmtojë as Flamurtarin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Pejo thotë se mund të lëshojë duke i marrë edhe me këste 6 mijë eurot që klubi i ka borxh.

Flamurtari autobusi

Klubi, në kohën që administrohej nga bashkia, nuk ka paguar pak, por plot 400 euro në muaj për shtëpitë me qira të ish-trajnerëve. “Për hatër të drejtuesve të mëparshëm të klubit, unë kam pritur pesë vjet për të marrë lekët e mia. I kam thënë zotit Idrizi që dua lekët, por me të drejtë ai nuk i njeh se nuk janë të kohës së tij, po kush m’i njeh mua këto lekë?

Kujt t’ia marr? Me kë ta zgjidh? Nuk dua që të bllokoj llogaritë e klubit, unë kërkoj një zgjidhje. Shtëpia është dhënë me qira 400 euro në muaj. Unë nuk po u vë lakun në grykë. Le të më paguajnë sa të kenë, edhe muaj për muaj. Këtë e bëj për hatër të klubit”, tha fillimisht Pejo.

KONTRATA

Por, Shpëtim Gjika nuk e njeh këtë borxh. Këtë e deklaroi edhe vetë, teksa i bëri thirrje administratorit Idrizi të nxjerrë dokumentet dhe të shikohet firma. Pronari i shtëpive, Ilir Pejo, tha se ka një kontratë të rregullt me klubin. Sipas tij, kontrata është firmosur nga Ardi Behari, por Gjika i ka dalë garant për gjithçka.

“Shpëtim Gjika, që atëherë ishte president i klubit, më doli garant për lekët. Kam një kontratë të rregullt me klubin. Ajo është e firmosur nga Ardi Behari që ishte zëvendësshef i klubit, pasi shefi Geri Çipi, nuk mbante asnjë përgjegjësi atëherë. Edhe sikur të mos kishte firmë dhe kontratë, fakti është që drejtuesit e klubit më morën shtëpinë për ish-trajnerët. Unë madje kam nxjerrë nga shtëpia një çift amerikan për t’i bërë mirë klubit duke strehuar trajnerin”, deklaroi Pejo.

IDRIZI

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, thekson se do të bllokohen llogaritë e klubit dhe ai nuk bënë asnjë pagesë për shkak se 6 mijë eurot, detyrime të shtëpisë me qira nuk janë të tyret.

“Pronari i shtëpisë ka shumë të drejtë, por unë nuk e njoh këtë detyrim. Ato janë detyrime të bashkisë, t’i paguajnë ish-drejtuesit. Le të bllokohen llogaritë bankare. Unë nuk u dalë për zot”, përfundoi Idizi. Me sa duket, historia e borxheve të Flamurtarit nuk do të ketë fund. Ngushëllimi i vetëm për momentin është ecuria e mirë e skuadrës.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"