Projektohet Dinamo e re, ja prapaskenat e orëve të fundit me italianët (E PLOTË)
Mbetet çështje ditësh kalimi i pronësisë së Dinamos nga presidenti Besnik Sulaj dhe administratori Ismet Saliaj te një kompani italiane e përfaqësuar nga biznesmeni Marko Pontreli. Procedurat juridike kanë pasur vonesa të vogla për shkak të disa detajeve, por “Panorama Sport” mëson se firma e zyrtarizimit të marrëveshjes është lënë për mesin e javës së ardhshme.
Avokatët e dy palëve kanë rënë dakord për hedhjen e firmës javën e ardhshme dhe atëherë do të bëhen të ditura edhe detajet e hollësishme në lidhje me administrimin italian të Dinamos.
LËVIZJE KONKRETE
Drejtuesit e rinj të klubit blu nuk duan të flasin para zyrtarizimit të marrëveshjes, por në fakt ata kanë lëvizur këto ditë, duke hedhur hapa konkretë në lidhje me administratën e re të Dinamos. Gazeta mëson se zyrat e Dinamos do të jenë te dy kullat përballë kryeministrisë, ndërkohë që po plotësohet stafi administrativ gradualisht.
Kjo është faza e parë e punës, pasi një klub futbolli duhet të ketë së pari rezidencën dhe administratën e tij, në mënyrë që të funksionojnë si duhet të gjitha hallkat. Stafit teknik i është bashkuar edhe trajneri i U-19-ës Olsi Uku, i cili e drejton skuadrën gjatë ndeshjeve zyrtare, pasi trajnerit Manzoni nuk i ka ardhur ende licenca.
Për stërvitjen e Dinamos duhet thënë se do të vazhdojë në PezëHelmës, por nga drejtuesit e rinj po bëhen përpjekje për zhvendosjen e orarit për pasdite. Blutë janë stërvitur paradite deri tani, duke qenë se janë “persekutuar” nga oraret e skuadrave të shumta që stërviten aty. Disa lojtarë janë studentë dhe klubi nuk dëshiron t’i pengojë për shkollën.
NDRYSHIMET NË EKIP – Për këtë sezon i vetmi objektiv është mbijetesa në Kategorinë e Parë. Një objektiv që kërkon patjetër më shumë kualitet në grupin e futbollistëve dhe drejtuesit e rinj kanë nisur punën për përforcimin e bluve. Gazeta mëson se në planet e tyre janë për momentin dy lojtarë të huaj, një afrikan dhe një italian, por emrat nuk janë zbuluar ende.
Ata mund të bashkohen para merkatos së janarit me Dinamon, por mund të mos jenë gati për të luajtur. Ndryshimi i madh në organikën e bluve pritet të bëhet në merkaton e dimrit. Po vëzhgohet edhe tregu vendës i lojtarëve dhe gjasat janë që Dinamo të huazojë lojtarë të klubeve të mëdha të Superiores që nuk kanë hapësira aktualisht.
Për emra konkretë është ende herët për të folur, por italianët duket se e kanë marrë seriozisht gjithçka dhe synojnë ta kthejnë Dinamon në nivelet ku ajo ka qenë. Kjo është sfida e tyre, por se sa do t’ia arrijnë qëllimit, do ta tregojë koha.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"