Projekti Europë, Laçi ia nis nga e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2018 | 10:38

Projekti Europë, Laçi ia nis nga e para

Pas sigurimit të biletës europiane, Laçi i sezonit të ri pritet që t’ia nisë nga e para. Drejtuesit e klubit janë të detyruar për të bërë ndryshime të mëdha, për vetë “hemorragjinë” që kanë pësuar kurbinasit në ditët e fundit. Në mënyrë të papritur, trajneri Gentjan Mezani njoftoi largimin nga drejtimi i bardhezinjve, që sipas tij ka lidhje me arsye personale.

Laci3

Pritet që nga momenti në moment të zyrtarizohet trajneri i ri i Laçit pas dorëheqjes së teknikut vlonjat. Sakaq, drejtuesit do të kenë një qershor “të nxehtë” për të ndërtuar projektin e Laçit të Europës, pasi dihet se bardhezinjtë marrin pjesë në turin e parë paraeliminator të Ligës së Europës, ku ndeshja e parë luhet më 12 korrik. Pjesa dërrmuese e lojtarëve që mbyllën kampionatin janë pa kontrata, pasi u skadon në mbyllje të këtij muaji. Në kësi kushtesh, klubit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ulet dhe të nisë negociatat me ata që do të ketë në plan edhe për sezonin e ri. Do të ketë pa dyshim edhe afrime, megjithatë pa u zbuluar “timonieri” i ri i Laçit, nuk mund të flitet për emra konkretë. Gjatë këtyre ditëve, Laçi ka “humbur” lojtarë të rëndësishëm. Sulmuesi Rexhinaldo e ka konfirmuar “divorcin”, por edhe braziliani Eskerda është larguar. Largime të konfirmuara janë edhe Harallamb Qaqi dhe Arbër Shala, por mund të humbasin edhe kapitenin Selmani, pasi për portierin thuhet se ka oferta nga jashtë. Në këto kushte, Laçi duhet t’ia nisë nga e para.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"