Programi i kombëtareve / Javë të ndezura kuqezi, nga ekipi A tek U-19

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2021 | 20:15

Programi i kombëtareve / Javë të ndezura kuqezi, nga ekipi A tek U-19

Pas përfundimit të ndeshjeve të kësaj fundjave, vendi do t’u lihet ekipeve kombëtare. Ekipi ynë përfaqësues do të luajë dy ndeshjet e fundit sa u përket eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

kombetarja shqiperia

Ndeshja e parë është programuar të luhet në datën 12 nëntor përballë Anglisë ne “Wembley”, ndërsa tri ditë më vonë, Kombëtarja A do të presë në Tiranë Andorrën. Në këto dy ndeshje kuqezinjtë do të tentojnë të gjitha shanset për të kapur vendin e dytë në grup edhe pse është shumë e vështirë.

Ndërsa Kombëtarja A ka këto dy sfida, ekipi i Shpresave do të luajë dy sfidat e ardhshme për kualifikueset e Europianit U-21. Të dyja ndeshjet janë përcaktuar të luhen në transfertë, e para do të jetë në datën 12 nëntor përballë Sllovenisë U-21, ndërsa e dyta në datën 16 nëntor kundër ekipit Shpresa të Kosovës.

Ndërkohë, Kombëtarja e moshave U19 ka përpara tri sfida shumë të vështira. Për kualifikueset e Europianit U-19, kuqezinjtë e vegjël janë në grup me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndeshjen e parë U-19 do ta luajë në datën 10 nëntor kundër Francës, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet ndaj Serbisë dhe takimi i fundit është programuar të zhvillohet në datën 16 nëntor ndaj Maqedonisë së Veriut.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"