Progni: Shënova një nga golat më të bukur të karrierës, ia dedikoj djalit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2017 | 20:26

Progni: Shënova një nga golat më të bukur të karrierës, ia dedikoj djalit

Gerhard Progni e ka cilësuar golin e shënuar ditën e djeshme ndaj Vllaznisë si një nga më të rëndësishmit në karrierën e tij. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai shpreh emocionet.

Gerhard Progni

“Nuk kam fjalë që të shpreh emocionet e këtij goli dhe të kësaj ndeshjeje. Me të vërtetë nuk fituam titull, por arritëm të mbajmë skuadrën mes më të mirave të futbollit shqiptar. Ishte një ndeshje, të cilën e kishim përgatitur më së miri dhe e dinim që skuadra e Vllaznisë kishte ardhur për të marrë pikë, sepse edhe barazimi u interesonte”, tha fillimisht Progni.

Më tej, numri 77 i durrsakëve zbulon sekretin e kësaj fitoreje të rëndësishme. “Arritëm të fitonim falë shpirtit luftarak dhe dëshirës së madhe për të dalë me 3 pikë. Kjo do të thoshte shpëtim. Në momentin e shënimit të golit mendova thjesht që ky gol do të thoshte: Superiore. Do ta konsideroj si një nga golat më të rëndësishëm të karrierës sime.

Pas golit, doja që të përqafoja trajnerin Magani, i cili ka bërë një punë të palodhur me ekipin dhe falë tij sot mbijetuam. Kjo fitore ishte detyrë për ne, sepse drejtuesit e klubit na kanë mbështetur dhe mbi të gjitha duhej të fitonim për tifozët që ishin të shumtë në numër dhe na mbështetën”, vazhdoi më tej Progni.

Ai ka një dedikim për golin e rëndësishëm, të cilin ia dedikoi djalit të tij të sapolindur. “Goli ishte për djalin tim që ka ardhur në jetë përpara pak kohësh. Dua t’i falënderoj të gjithë lojtarët e Teutës që bënë maksimumin në fushën e lojës”, përfundoi Progni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"