“Profeti” Shehi: Titulli vendoset në… finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2016 | 13:02

“Profeti” Shehi: Titulli vendoset në… finale

Kampionati po për gatitet për një fina le titulli. Edhe pse në kampin korçar duan që gjithçka të vendoset para ndeshjes direkte, portieri i Skënderbeut mendon se gjithçka mund të përcaktohet në javën e parafundit. shehiNë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” Orges Shehi e vlerëson si të rëndësishme fitoren me Bylisin, ndërsa garanton se në 4 “finalet” e mbetura do të luajnë gjithçka për gjithçka, pasi shkalla e vështirësisë sa vjen edhe rritet.

Durrsaku nuk ka dashur të komentojë ndeshjen derbi të kryeqytetit. Sipas tij, nëse merren 12 pikët e plota, nuk ka rëndësi si dalin ndeshjet e Partizanit.

Skënderbeu “marshon” drejt titullit. Sa e rëndësishme ishte fitorja me Bylisin?

Ne e kishim vlerësuar maksimalisht Bylisin dhe një gjë të tillë e treguam gjatë gjithë 90-minutëshit. Në momentin që shënuam golin e dytë, dolëm plotësisht në lojën tonë dhe arritëm të qetësoheshim plotësisht dhe ta administronim krejt ndeshjen.

Ishte një fitore e lehtë?

Normalisht tani që takimi mbaroi dhe e dimë të gjithë rezultatin mund të themi që ka qenë ndeshje e thjeshtë, por në të vërtetë nuk ka qenë e tillë. Hasëm mjaft vështirësi, pasi Bylisi nuk u dorëzua dhe kërkoi vazhdimisht që të na rrezikonte.

Duket se humbja kundër Tërbunit shërbeu si mësim, e vërtetë?

Normalisht, ajo ndeshje është komentuar mjaft, pasi ka qenë një humbje mjaft e rëndë për ne. Atë radhë më ra rasti mua të dilja në konferencë shtypi dhe kam shpjeguar mjaft mirë se duhet të ringriheshim menjëherë pas atij takimi. Një gjë të tillë bëmë në ndeshjen e radhës kundër Tiranës dhe tani e rëndësishme është që të vijojmë me rezultatet pozitive të njëpasnjëshme.

Ndërkohë ka fituar edhe Partizani. Po bëhet shumë më i fortë ky sezon?

Edhe Partizani po bën një kampionat të mirë dhe është krejt normale që gara të jetë e fortë. Por edhe vitin e kaluar ka qenë po kaq i vështirë, madje edhe më shumë. Asokohe ishin shumë rivalë, përfshi këtu edhe Tiranën dhe Kukësin që luftonin për titullin. Ka vite që Superiorja po bëhet e vështirë, nuk është vetëm ky sezon. Mbeten edhe katër javë deri në finish.

Si ju duket kalendari për këto ndeshje të mbetura?

Këto katër takimet e fundit janë mjaft të ngjeshura dhe normalisht duan impenjim maksimal nga ana jonë. Mund të them se ne duhet t’i shohim të gjitha ndeshjet me radhë dhe të mundohemi të marrim maksimumin, duke filluar nga Laçi, kundërshtar me të cilin luajmë këtë të mërkurë.

Sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje kundër Laçit për Skënderbeun?

Do të jetë mjaft e vështirë, një takim ku ne duhet të marrim maksimumin dhe të jemi të përqendruar për ta kaluar me sukses. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë dhe të marrim maksimumin nga kjo përballje.

Në mesjavë luan edhe Partizani në derbi. Çfarë rezultati prisni nga ky takim?

Unë, të them të drejtën, nuk kam dëshirë të prononcohem aspak për këtë takim, pasi çdo fjalë mund të keqkuptohet. Doja të thosha vetëm se rëndësi për ne do të kenë ndeshjet tona. Nëse marrim pikët maksimale deri në finish, pak rëndësi ka si do të përfundojnë përballjet e kundërshtarit tonë.

Praktikisht i bie që titulli të vendoset në ndeshjen direkte?

Po, kështu i bie. Ma merr mendja se do të jetë si një minifinale, duke qenë se është edhe ndeshja e parafundit e kampionatit. Kështu mendoj se do të funksiononte në këtë mënyrë se si po shkojnë gjërat.

Për ju titulli qëndron në Korçë?

Normalisht që po. Ai është objektivi ynë sezonal dhe duam ta arrijmë me çdo kusht.

Përgatiti: LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"