Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, dënohet me burg ish-kampioni shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 13:17

Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, dënohet me burg ish-kampioni shkodran

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar gjykimin e Dosjes 339/3, ku në përfundim të gjykimit ka deklaruar fajtorë të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal.

spak

Siç raporton News24 Gjykata e Posaçme ka rrëzuar akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe vepra të kryer nga grupi i strukturuar, akuza këto të parashikuara nga Neni 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar më herët të pandehurve do t’i ulet një e treta e dënimit.

Të pandehurit janë dënuar përkatësisht:

  1. Ramadan Dushaj me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
  2. Rezart Cacani me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
  3. Neritan Saraçi me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
  4. Ardit Haxhagiqi me 8 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5,4 vite burgim.
  5. Vilson Noka me 14 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,4 vite burgim.
  6. Fatbardh Gostini me 7,6 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5 vite burgim.
  7. Luan Boça me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.

 

elis guriGjithashtu burimet bëjnë me dije se në këtë gjykim edhe kampioni i botës në mundje, Elis Guri është dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve me 7 vite burgim, ku në aplikim të gjykimit të shkurtuar është dënuar përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burgim.

I kontaktuar mbrojtësi i Gurit, Av. Arbër Hoxha u shpreh se vendimi është i pambështetur në ligj dhe në prova, ku brenda afatit ligjor do kundërshtohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit ku do të kërkojmë deklarimin e pafajshëm të të mbrojturit prej meje./BW

Karriera

Elis Guri ka lindur në Shkodër, më 6 korrik 1983 dhe është një sportist shqiptar i mundjes klasike në peshën 96 kg. Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Europian që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg.

Por dhe në Kampionatin Botëror 2007 Elis Guri klasifikohet i 7-ti në peshën 96 kg, duke fituar të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″.

Si pjesëmarrës për herë të parë në një olimpiadë, Guri renditet në vendin e 8-të, duke shënuar dhe rezultatin e dytë më të mirë të arritur nga kuqezinjtë tanë. Të tjera rezultate të Gurit mund të përmendin vendi i 7-të në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”, medalje argjendi në turneu botëror Trofeu “Milone 2006”.

Pas vitit 2008, Elis Guri garon për Bullgarinë dhe me 13 shtator 2011 merr medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes në kategorinë 96 kg.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"