Prodani: Ja e vërteta e largimit, FSHF të bëjë kujdes me teknologjinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 21:18

Prodani: Ja e vërteta e largimit, FSHF të bëjë kujdes me teknologjinë

Pak ditë më parë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, pa dhënë shpjegime, deklaroi se Eduard Prodani nuk është më në krye të drejtorisë së “Shoqëria Kuq e Zi” sh.a. Në lidhje me këtë, detaje për projektin, funksionimin e kësaj shoqërie dhe sistemet e ndryshme që duhen përdorur në impiant, Prodani shpjegon gjithçka në një intervistë për “Panorama Sport”.

Prodani Eduard

Ai është optimist për përfundimin e afateve të ndërtimit të stadiumit, mirëpo sugjeron konsultimin e specializuar për vendosjen e sistemeve të caktuara teknologjike.

Presidenti i FSHF-së deklaroi se ju nuk jeni më në krye të “Shoqërisë Kuq e Zi”. Çfarë ka ndodhur dhe pse jeni larguar?

Teknikisht jam ende administrator i “Qendra Sportive Kuq e Zi” sh.a, por është e vërtetë që nuk do të jem më në atë pozicion. Ky është një vendim i marrë prej kohësh nga ana e Federatës që synon të shkurtojë kostot e menaxhimit të shoqërisë ku dihet që ajo është shumicë me 75% të aksioneve. Në të vërtetë duhet të isha shkëputur nga administrimi i shoqërisë që në fund të vitit që shkoi, por ka qenë e nevojshme të qëndroj për shkak të disa praktikave shkresore që duheshin përfunduar.

Përse bëhet “shkrirja” e këtij posti, mos vallë nuk ka më nevojë për këtë pozicion?

Mandati im si administrator i “Qendra Sportive Kuq e Zi” ka qenë 3- vjeçar. Unë e mora atë detyrë me qëllim që të çoja përpara procedurat për sigurimin e paketës së financimit dhe kontraktimin e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri. Nuk kam qenë asnjëherë i interesuar për të menaxhuar ndonjë stadium, por kjo detyrë ishte pjesë e pashmangshme e përgjegjësive për sa kohë që, ndërsa punohej për projektin e stadiumit të ri stadiumi “Qemal Stafa”, duhet të mbahej në efiçencë.

Shoqëria dhe rrjedhimisht posti i administratorit nuk mund të “shkrihen”. Shoqëria është subjekti pronar dhe palë kontraktore në marrëveshjen për ndërtimin e stadiumit të ri dhe kështu do të mbetet. Me sa kuptoj, me largimin tim, menaxhimi i shoqërisë do të mbulohet nga personeli i FSHF-së. Natyrisht që duhet emëruar formalisht edhe një administrator, por nuk besoj se kjo ka ndonjë rëndësi praktike.

Unë mendoj se nga pikëpamja menaxheriale reduktimi në këtë mënyrë i funksioneve të shoqërisë është i gabuar. Përkundrazi, në muajt në vijim, shoqëria duhej të shtohet me personel të dedikuar ndjekjes së instalimit të sistemeve funksionale të stadiumit, studimit të mënyrës së funksionimit dhe të mirëmbajtjes së tyre. Kjo është mënyrë standarde operimi në vepra të ngjashme.

Në fillim, marrëveshja parashikonte që FSHF të kishte një hapësirë të konsiderueshme për sipërfaqe zyrash. Ndryshimi për të mos pasur kaq shumë është bërë kur ju keni qenë në krye të Shoqërisë “Kuq e Zi”?

Ideja që FSHF të kishte zyra në godinën e stadiumit është diskutuar kur projekti planifikohej të zhvillohej në formë koncesionare. Në formulën e tanishme nuk është diskutuar ndonjë opsion i tillë. Me sa kam dëgjuar, federata planifikon të ndërtojë zyra të reja në ish-kompleksin “Dinamo” sipas marrëveshjes me qeverinë.

Ju ndoshta i referoheni hapësirës që do t’i lihet shoqërisë “Qendra Sportive Kuq e Zi” sha. Natyrisht që subjekti që do të operojë stadiumin do të ketë sipërfaqe si për zyrat e administratës, ashtu edhe për ambientet e magazinimit dhe mirëmbajtjes.

Kërkesa ime për madhësinë e këtyre sipërfaqeve, së bashku me specifikimet e tyre, u bazua në konkluzionet e studimit që kishin kryer konsulentët francezë që u nënkontraktuan për këtë qëllim që në fillimet e punës për stadiumin e ri. Nuk e di se ç’është rënë dakord për këtë aspekt, pasi negociatat dhe marrëveshjen me projektuesit dhe shoqërinë ndërtuese i ka kryer zoti Arben Dervishaj.

UEFA ka bërë disa kërkesa në lidhje me stadiumin, nevojën për fushë me ngrohje dhe ndriçim jo tradicional, por “LED”. Sa mund të shtojnë fondin e UEFA-s prej 10 milionë eurosh kërkesa të tilla?

Nuk jam në dijeni për ndonjë kërkesë të tillë. Fusha me ngrohje nuk është e domosdoshme për klimën e Shqipërisë. Sot, janë zhvilluar teknologji të tapeteve mikse që janë në gjendje t’i rezistojnë shumë më mirë të ftohtit dhe lejojnë përdorim intensiv të fushës në çdo klimë.

Mendoj se do ishte shumë e volitshme që të merrej parasysh instalimi i një tapeti të tillë në stadiumin tonë kombëtar. Natyrisht që këto tapete kushtojnë më shumë, por mund të krijojnë kushtet për përdorim shumë më efektiv të stadiumit, pra dhe ta justifikojnë ekonomikisht koston duke e bërë njëkohësisht stadiumin të përdorshëm së paku 3-4 herë në javë.

Për sa i përket ndriçimit të stadiumeve, di që deri në këtë stad zhvillimi sistemet LED nuk kanë paraqitur avantazhe aq të mëdha ndaj sistemeve tradicionale, sa të sugjerohet braktisja e tyre. Edhe në rregulloret FIFA/UEFA nuk kam parë të jetë nënvizuar ndonjë preferencë. Për të bërë më të mirën, mendoj se vendimi duhet marrë pas konsultimit me ekspertë të pavarur, pasi ndryshe rrezikojmë të biem në grackën e kompanive të interesuara që shesin teknologji të caktuara.

Sqaroj se nuk ka pasur asnjëherë “fond 10 milionë euro të UEFA-s për stadiumin”, të paktën në dijeninë time. Kontributi i përmendur prej 10 milionë eurove për kostot e ndërtimit që FSHF vë në dispozicion përbëhet nga fonde që FIFA/UEFA japin rregullisht në kuadër të programeve për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

Për shkak të emergjencës për stadiumin, FSHF i ka akumuluar këto fonde në vite për t’i përdorur për projektin e stadiumit të ri, natyrisht me dijeninë dhe miratimin e donatorëve përkatës.

stadiumi-arena-kombetare

A mendoni se stadiumi do të mbarojë në afat?

Personalisht, kam besim në kapacitetet teknike dhe organizative të kompanisë ndërtuese. Punimet do të ishin në fazë shumë më të avancuar në rast se nuk do të kishim pasur ndryshime të vazhdueshme të projektit si në godinën e tribunës qendrore, ashtu dhe atë të tribunës veriore. Them se duhet të jemi optimistë për afatin. Ndoshta pjesa e stadiumit mund të bëhet e shfrytëzueshme përpara fillimit të sezonit 2018- 2019.

Në të ardhmen, do të ketë një rikthim tuajin në federatë?

Duhet të them se nga ana e FSHFsë më është bërë ofertë për të punuar në federatë, vlerësim për të cilin më duhet gjithsesi t’i falënderoj. Momentalisht, për mua nuk ka qenë e përshtatshme një gjë e tillë. Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë. Kam investuar tashmë shumë vite kohë dhe energji në shumë aspekte të menaxhimit të futbollit dhe nuk do ishte mirë që të humbasin. Koha do ta tregojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"