“Problemi u zgjidh, lojtarët e tepruan”, Takaj: Koha që ekipi të flasë në fushë, ja pse besojmë shumë te Gjykata Federale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 18:43

“Problemi u zgjidh, lojtarët e tepruan”, Takaj: Koha që ekipi të flasë në fushë, ja pse besojmë shumë te Gjykata Federale

Pas më shumë se katër orësh “i ngujuar” në zyrat e klubit dhe dy takimeve të zhvilluara para dhe pas stërvitjes me lojtarët, presidenti i Skënderbeut ka dalë nga stadiumi, duke u prononcuar edhe për mediat. 

ardjan takaj

Në intervistën e thënë ai ka ritheksuar se ky bojkot ishte i nxituar dhe se duhej të kishte një koordinim më të mirë mes lojtarëve dhe klubit për ta zgjidhur këtë çështje. Ai sqaron se një pjesë e pagave të futbollistëve janë dhënë dje, ndërsa për të tjerat klubi ka hartuar një grafik për të likuiduar që të gjitha detyrimet e prapambetura. Nga ana tjetër, numri një i klubit bardhekuq ka theksuar se nuk do të ketë masa për bojkotin, por kujton se çdo klub ka rregulla dhe sanksione.

 Takaj, a u zgjidh problematika e pagave? 

Futbollistëve u takojnë pagat dhe kanë të drejtat e veta. Dhe kjo është normale. Erdhëm këtu, diskutuam dhe e zgjidhëm, nuk është se ishte ndonjë problem i pazgjidhshëm. Biseduam me ekipin, bëmë edhe një grafik. Plus kësaj kryem edhe një pagesë dhe besoj se jemi në rregull.

Skenderbeu bojkoti logo

Ishte i shmangshëm ky bojkot, sikundër është vepruar më herët te Skënderbeu? 

Ishte nxitim i lojtarëve dhe mungesë koordinimi me klubin, që vjen nga pjesa e informimit. Nuk mund të merret një vendim i tillë aty për aty, pasi situatat duhet të zgjidhen brenda familjes. Lojtarët u nxituan.

A do të merret masë ndaj lojtarëve për këtë veprim?

Nuk po flasim për masa. Unë dua ta quaj një nxitim të futbollistëve dhe kaq, nuk dua të hyj në pjesë tjetër. Dua të shoh përgjigjen e tyre në fushë tashmë. Futbolli dhe karriera e futbollistit bëhet në fushën e lojës dhe jo duke u marrë me mediat apo me bojkote. Bojkoti ishte i nxituar, sepse u mor në rrethana të paqarta, por kjo çështje është sqaruar tashmë dhe gjithçka është në rregull.

skenderbeu ne stervitje logo

 Pas shlyerjes së një page, zhvilluat edhe një takim me futbollistët. Çfarë u keni thënë?

Këtu nuk është një klub çfarëdo. Ne nuk jemi mësuar që t’i zgjidhim gjërat me nervozizma apo me të bërtitura. Folëm normalisht ashtu siç flitet. Ata kërkonin një të drejtë që u takon dhe ne e zgjidhëm. Ashtu e menduan, ashtu e bënë. Megjithatë, klubi ka rregulla dhe sanksione nëse ndodhin të tilla gjëra.

 I keni dhënë që të gjitha rrogat e prapambetura apo…?

Janë shlyer pjesërisht një pjesë e futbollistëve. Është bërë edhe një grafik për 4-5 lojtarë që kanë paga të pashlyera. Kanë mbetur edhe dy muaj pa u shlyer, por në bazë të kalendarit të përcaktuar në grafik do të likuidohen.

A jeni i kënaqur me paraqitjen e ekipit në këtë sezon? 

Jo, nuk jemi plotësisht të kënaqur. Jemi në një situatë jo të mirë edhe për vetë faktin se nuk marrim pjesë në Europë dhe kemi një gjyq që do të vendosë në qershor fatin e Skënderbeut. Por ky nuk është një ekip i painvestuar, ne kemi investuar që të arrijmë vendet e para të renditjes.

Merkatoja po afron, a mund të na jepni ndonjë detaj?

Do të ketë lëvizje si në hyrje dhe në dalje. Skënderbeu është gjithmonë i hapur dhe nuk është bërë pengesë për lojtarët. Kemi bërë merkato edhe në mes të sezonit kur kemi qenë në sezone shumë më të mira.

A ka emra konkretë?

Emra ka që qarkullojnë, por nuk kemi gjë konkrete. Në moment që kemi diçka, do të viheni në dijeni.

 Qershori është ende larg, por çfarë pret Skënderbeu nga Gjykata Federale?

Ne besojmë shumë te Gjykata Federale, pasi është një institucion që nuk ka lidhje me asnjë tjetër, por shikon se si është marrë ky vendim. Ne e dimë që KAS dhe UEFA janë po të njëjtët dhe nuk është se vendimi i KAS për ne ishte surprizë. Por që Gjykata Federale është diçka tjetër dhe ne kemi besim tek e vërteta.

takaj

Takaj do ta shoqërojë ekipin deri në ndeshjen me Vllazninë apo do të largoheni nga Korça që sot (dje)?

Jo, do të largohem. Erdha posaçërisht për këtë çështje, por do të kthehem sërish.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"