Problemi me stadiumin, Elbasani-Besa shtyhet për ditën e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 9:03

Problemi me stadiumin, Elbasani-Besa shtyhet për ditën e…

Elbasani-Besa do të luhet ditën e hënë në “Elbasan Arena”, në orën 13:00. Sfida e programuar për t’u zhvilluar sot është spostuar me dy ditë, për shkak se në stadiumin “Elbasan Arena” do të luhet përballja e Superiores midis Kukësit dhe Teutës.Elbasani

Deri të premten në mëngjes, drejtuesit e skuadrave të Elbasanit dhe Besës nuk kishin asnjë njoftim se ku do të luanin, një situatë krejtësisht e pazakontë, por më vonë është gjetur zgjidhja për të luajtur në po këtë stadium, por dy ditë më pas. Verdheblutë kishin edhe alternativa të tjera në tavolinë, mund të luanin në një stadium jashtë Elbasanit, por kanë preferuar më mirë të shtyhet takimi dhe të përballen në Elbasan me Besën.

Si për ironi të fatit, verdheblutë kthehen të luajnë në shtëpi pas plot 80 ditësh dhe ky rikthim erdhi jo pa probleme. Hera e fundit që Elbasani ka luajtur në “Elbasan Arena” i takon datës 28 shtator, kur mundej nga Devolli me rezultatin 1-2. Që prej asaj ndeshjeje, përballjet si pritës verdheblutë i kanë luajtur në stadiumet e Cërrikut dhe të Peqinit. Mbetet për t’u parë nëse do t’u sjellë fat rikthimi në shtëpi, pasi nuk e kanë provuar ende shijen e pikës në Elbasan.

Në dy ndeshjet e këtij sezoni kanë dalë të mundur nga Apolonia dhe nga Devolli. Ndeshja me Besën ka një rëndësi të veçantë për Elbasanin, që vjen nga humbja turpëruese 7-0 ndaj Apolonisë në Fier.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"