Problemi kryesor i Laçit mbetet reparti i avancuar, sulmuesit kryesorë jashtë forme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2022 | 17:49

Problemi kryesor i Laçit mbetet reparti i avancuar, sulmuesit kryesorë jashtë forme

Tri humbjet radhazi në kampionat kanë futur në krizë Laçin. Starti me fitore ndaj Teutës u mendua se do t’i jepte skuadrës një motiv më shumë për të vijuar normalisht kampionatin, por oshilacionet e frikshme në javët e fundit kanë tronditur jo pak ambientin kurbinas.

FOTO. F Hazisllari

FOTO. F Hazisllari

Vetë trajneri Dejan Vukiçeviç u shpreh i habitur pas humbjes së fundit kundër Bylisit në Laç për mënyrën se si ndëshkohet skuadra. Tri humbjet me të njëjtën rezultat 0-1 dhe për më tepër forma jo e mirë e shumë lojtarëve, kanë bërë që drejtuesit bardhezi të paralajmërojnë skuadrën para ndeshjes së të shtunës që do të luajnë në transfertë kundër Erzenit, pikërisht në stadiumin “Niko Dovana”, ora 17:45. Në këtë takim do të kërkohet kthesa e menjëhershme, në të kundërt rrezikon shumë edhe vetë trajneri Vukiçeviç, i cili edhe në këtë eksperiencë të dytë te Laçi, po vuan shumë fillimin e kampionatit. Ndërkohë, ajo që ka rënë në sy në këto katër javë është mungesa e sulmuesit qendror, Vasil Shkurtaj, i cili duke qenë se vjen nga një kohë e gjatë pa luajtur, nuk ka qenë gati për të ndihmuar Kukësin.

U mendua se mungesa e vlonjatit do të zëvendësohej më së miri nga sulmuesi tjetër, serbi Xhorxhe Ivkoviç, mirëpo edhe ky i fundit në dy nga katër ndeshjet e luajtura deri më tani, ka zhgënjyer. Madje, në takimin e fundit kundër Bylisit nuk ishte as në stolin e rezervave. Me sulmuesit që janë jashtë forme dhe mbi të gjitha Adeleken që po shpërdoron shumë raste, bardhezinjtë po vuajnë shumë në këtë start. Gjithsesi, sfida e radhës është një shans për t’u rikthyer te fitorja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"