Problemet nuk kanë fund për Luftëtarin, tre titullarë vuajnë dëmtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2020 | 9:14

Problemet nuk kanë fund për Luftëtarin, tre titullarë vuajnë dëmtimin

Luftëtari vazhdon përgatitjet me nga dy seanca në ditë nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli dhe ndihmësit të tij, Neritan Novi. Stafi teknik nuk është plotësuar ende, pasi nuk dihet nëse në detyrën e përgatitësit të portierëve do të qëndrojë Dritan Kristidhi, i cili njëkohësisht është edhe i angazhuar me Kombëtaren U-17 të Shqipërisë. 

luftetar

Ditët e fundit kanë qenë voluminoze për stafin, pasi disa lojtarë janë provuar, por shumica e tyre nuk kanë bindur. Luftëtari po mban një profil të ulët sa u përket afrimeve “big”, pasi deri më tani kanë ardhur lojtarë të rinj, si Rimal Haxhiu, Albi Ahmeti, Aleksandros Zaimi, Renato Spahiu, Rei Qilimi dhe Mikel Brahilika. Vetëm dy prej tyre kanë qenë pjesë e ekipeve të Superiores, pikërisht mesfushori Zaimi dhe sulmuesi Spahiu, që luajtën me Laçin në pjesën e parë të sezonit, edhe pse asnjëherë si titullarë. Ndërkohë, të larguar mund të quhen emra si Hilgen Cerezo, Paraskevas Prikas, Andi Renja, Angelmo Vyent, Realdo Fili, Donald Rapo dhe Panajotis Paiteris.

Trajneri Çoçlli ka kërkuar afrimin e katër lojtarëve cilësorë, pikërisht një portieri, dy mesfushorëve dhe një qendërsulmuesi, pasi repartin e mbrojtjes e shikon të kompletuar me ata që ka në dispozicion. Ndërkohë, në ditët e fundit është vënë re në stërvitje mungesa e dy qendërmbrojtësve titullarë, si Franci Lala dhe Enes Isufi. Të dy lojtarët vuajnë dëmtimet që pësuan në muajin dhjetor dhe ende nuk janë rikuperuar. Ndërkohë, dy ditë më parë u dëmtua në kavilje edhe mesfushori Erald Hyseni, i cili pritet të qëndrojë një javë jashtë fushave. Sot Luftëtari ka programuar një miqësore me Butrintin në Sarandë, në orën 13:00, ndërsa në fundjavë do të luajë me Skënderbeun.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"