Problemet me golin, sezoni më i errët për sulmin e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2023 | 14:56

Problemet me golin, sezoni më i errët për sulmin e Kukësit

Përpos rezultateve që Kukësi nuk i ka pasur në favor, këtë sezon ka dalë në pah një problem i theksuar me golin. Në një situatë të tillë, përgjegjësia kryesore bie mbi sulmuesit, pasi në fund janë ata që finalizojnë aksionin, edhe pse mungesa e golit tregon mosfunksionimin e skuadrës në tërësi.

kukesi

Te Kukësi e kanë vuajtur shumë këtë aspekt gjatë këtij kampionati, pasi kur jemi thuajse në fund të sezonit, te verilindorët ka munguar “bomberi”. Në total në 32 takime të luajtura deri më tani, Kukësi ka shënuar 26 gola, me një mesatare më pak se një gol për ndeshje. E thënë më thjeshtë, më shumë shënonte ish-sulmuesi kroat, Pero Pejiç, dikur i vetëm, sesa e gjithë skuadra sot.

VËZHGIMI – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim të hollësishëm situatës që blutë kanë pasur me “bomberët” gjatë këtyre 11 sezoneve që militojnë në Superiore dhe bien në sy diferencat e mëdha të sulmuesve aktualë me ata që dikur e dërgonin Kukësin drejt titullit kampion apo pjesëmarrjes në Europë. Këtë kampionat, pasi janë luajtur 32 javë, lojtarët që kanë shënuar më shumë gola janë, Gjelbrim Taipi dhe Edi Basha, të cilët kanë tundur vetëm katër herë rrjetat kundërshtare.

“Ngushëllohen” vetëm me sezonin 2015-2016, ku Izair Emini ishte golashënuesi më i mirë i Kukësit me 8 gola pas 13 takimeve të luajtura. Në nëntë sezonet e tjera, golashënuesi i skuadrës ka qenë dyshifror, duke rezultuar një ndihmë e madhe për ekipin në arritjen e rezultatit dhe objektivave. Sigurisht, askush nuk mund të krahasohet me Pero Pejiçin, i cili i vetëm shënonte sa një skuadër e tërë. Në sezonin 2014-2015 e mbyllte edicionin me 31 rrjeta të realizuara në 35 takime, ndërsa në po kaq ndeshje shënonte 28 herë në sezonin 2016-2017. Sakaq, golashënuesi i parë i erës “Superiore” për Kukësin ka qenë serbi Lazar Popoviç me 16 gola në 23 ndeshje përgjatë sezonit 2012- 2013 dhe Sokol Cikalleshi me një rrjetë më shumë sezonin pasardhës.

Shifrën e mbi 20 golave, përpos Pejiçit e arritën edhe Sidrit Guri (20) dhe Vasil Shkurtaj (22). Në listën e goleadorëve të një sezoni bëjnë pjesë edhe Rexhinaldo (13) apo Agim Ibraimi dhe Patrik Eze me nga 15 gola. Vitin e kaluar ishte kroati Edi Basha ai që mbajti peshën e sulmit, duke shënuar në total 10 rrjeta për Kukësin.

kukesi

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"