PROBLEMET/ Kriza e katalanasve, dhjetë pyetjet që mundojnë tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 17:54

PROBLEMET/ Kriza e katalanasve, dhjetë pyetjet që mundojnë tifozët

Duket e çuditshme të kritikosh një skuadër që ndodhet në vendin e parë në kampionat dhe në grupin e Ligës së Kampioneve.

mesi barcelona

Por kur emrin e ke Barcelona, tifozët, gazetarët dhe opinionistët janë mësuar që të shohin spektakël, gola dhe fitore bindëse. Këto gjëra mungojnë në ekipin e Ernesto Valverdes, pavarësisht se ia ka dalë që të jetë lider në dy kompeticione.

Gazeta “Marca” ka bërë 10 pyetjet që i mundojnë tifozët katalanas dhe që kërkojnë menjëherë zgjidhje nga trajneri. Nga problemet e shumta në mbrojtje, te vështirësia për të shënuar gol në Ligën e Kampioneve. Një problem më vete është mungesa e bashkëpunimit mes Mesit dhe Grizmanit, por edhe trajtimi i çuditshëm që i bëhet një lojtari të rëndësishëm si Ivan Rakitiç.

Çfarë stili loje ka Barcelona?

Humbja e stilit të lojës, i cili e bëri të njohur Barcelonën në gjithë botën është një realitet i dhimbshëm. Nisi që në ditën kur klubin e mori Tata Martino dhe që atëherë nuk është rikthyer më “tikitaka” e famshme. Për momentin nuk ka ndonjë ndryshim të shikosh Barcelonën apo ndonjë ekip tjetër në Spanjë.

Pse Leo Mesi dhe Grizman nuk kuptohen?

Që dy lojtarët më të mirë të skuadrës të mos merren vesh në fushën e lojës ky është një problem i madh. Sidomos kur bëhet fjalë për faktin që këta dy lojtarë duhet të shtyjnë topin në portën kundërshtare. Mes Mesit dhe Grizmanit nuk ka një shoqëri. Në klub thonë se dy më të mirët do të merren vesh, por koha po kalon dhe nuk ka asnjë shkëndijë.

barcelona

Pse Barcelona e transferoi Xhunior Firpon?

Në verën e kaluar u zyrtarizua blerja e Xhunior Firpos, si një lojtar për të tashmen dhe të ardhmen. Mbrojtësi kishte shkëlqyer me Betisin, por te Barcelona është një fantazmë. Valverde më shumë përdor Semedon nga krahu i majtë si zëvendësues të Albës.

Ç’bëri Rakitiç për ta trajtuar kështu?

Kroati meriton një shpjegim të mirë si mbërriti situata e tij në këtë pikë. Ndoshta kur të largohet nga Barcelona. Ishte i paprekshëm për Valverden dhe tani ka përfunduar në stol. Vidal ka qenë titullar 4 herë, ndërsa kroati vetëm 1 herë.

Pse ka kaq shumë dëmtime dhe përsëritje dëmtimesh?

Ky vit ka qenë i tmerrshëm për dëmtimet te Barcelona. Lojtarë si Mesi, Suarez, Alba dhe Dembele kanë pasur probleme. Më e keqja është se disave prej tyre u është rikthyer dëmtimi.

Pse skuadra po pëson kaq shumë gola?

Forca e mbrojtjes është zbehur dukshëm. Dikur ishte një pikë e fortë për Valverden, por këtë vit duket shumë më e lehtë për t’u shënuar katalanasve.

Pse katalanasit vrapojnë pak në fushën e lojës?

Të vraposh nuk do të thotë që i bën gjërat më mirë sesa rivali, por është një e dhënë e mirë për gjendjen fizike të skuadrës. Diçka duket se mungon.

Pse vuan kaq shumë skuadra për të shënuar në Champions?

Nuk është për mungesën e lojtarëve apo të sulmuesve me kualitet, por Barcelona e ka shumë të vështirë të shënojë kur muzika e La Ligës ndryshohet me atë të Champions-it. Më shumë se gjysma e ekipeve kanë shënuar më shumë se Barcelona.

Pse nuk mbajnë dot të njëjtin ritëm gjithë ndeshjen?

Forma fizike e disa futbollistëve shqetëson shumë. Buskets dhe Artur nuk e përballojnë dot një ndeshje 90 minuta dhe ky është problem.

A mjafton ky nivel për të fituar Champions-in?

Ka shumë skuadra në Europë që të bindin më shumë sesa Barcelona dhe të krijojnë idenë që janë më të fortë. Diçka të tillë e kanë pranuar edhe lojtarët si Pike dhe Semedo, që kështu nuk fitohet Champions-i.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"