Problemet e Elbasanit, tani verdheblutë masakrohen dhe nga gjyqtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 16:27

Problemet e Elbasanit, tani verdheblutë masakrohen dhe nga gjyqtarët

Elbasani ka bërë nisjen më të keqe në historinë e vet këtë sezon, teksa në tri ndeshjet e para nuk ka marrë asnjë pikë. Në kuotën e zero pikëve dhe në fund të klasifikimit, elbasanasve po i rikthehen hijet e dy sezoneve më parë, kur edhe ranë nga Kategoria e Parë në të Dytën.

elbasani-470x353

Një skuadër që pëson nga dy gola për ndeshje dhe has shumë vështirësi për të shënuar, ka shumë punë përpara dhe nuk dihet se si do të vijojë ky sezon për këtë klub, i cili vetëm një vit më parë u ngjit nga Kategoria e Dytë. Zhgënjimi është i madh edhe në radhët e tifozërisë, të cilët nuk e prisnin një ecuri të tillë. Thuhet kështu, pasi në dy dekadat e fundit që elbasanasit kanë nisur kampionatin me humbje kanë rënë një kategori më poshtë dhe rasti më i freskët është para dy sezonesh kur verdheblutë ranë në Kategorinë e Dytë.

Nisja e këtij sezoni është akoma më e keqe, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një humbje në start, por për tri radhazi, duke bërë që të bjerë shumë poshtë morali i skuadrës. Mbetet për t’u parë se si do të jetë ecuria në ndeshjet në vijim. Java e ardhshme i rezervon në shtëpi Apoloninë, një nga pretendentet për elitën këtë sezon.

GJYKIMI – Sikur të mos mjaftonin problemet që kanë në skuadër, në Elbasan e shohin veten edhe të dëmtuar nga vendimet e arbitrave, në të tria ndeshjet e para të këtij kampionati. Duke nisur me një penallti në disfavor në Orikum dhe pasuar te një tjetër ndaj Egnatias një javë më parë. Edhe në përballjen derbi me Turbinën, verdheblutë patën pretendimet e tyre ndaj gjykimit, duke evidentuar gabime në dëm të skuadrës së tyre. Pra, me një skuadër me probleme dhe me gjykim deri tani kundër, në Elbasan duhet t’i bëjnë mirë llogaritë për sfidat e ardhshme.

V. Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"