Probleme të vazhdueshme në kofshë, Arapi pritet të gjejë shpëtimin te “magjistarja” serbe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 10:26

Probleme të vazhdueshme në kofshë, Arapi pritet të gjejë shpëtimin te “magjistarja” serbe

Magjistarja” serbe, fizioterapistja Marijana Kovaçeviç, ka pasur shumë vizita kohët e fundit nga futbolli shqiptar. Tek ajo pritet që ta gjejë shërimin edhe kapiteni i Teutës, Renato Arapi, pasi ka shfaqur probleme të vazhdueshme në kofshë. Mbrojtësi Arapi nuk ka mundur të stërvitet në javët e fundit dhe zgjidhja për të mos munguar në vazhdimësi mund të gjendet vetëm te Marijana. 

pjimage

Kapiteni pritet të vrapojë drejt Serbisë nesër në mëngjes me qëllimin e vetëm për t’u rikuperuar edhe ai në kohë rekord, siç ka ndodhur më parë me lojtarë të tjerë të Superiores si Hamdi Salih dhe Tefik Osmani. Fizioterapistja serbe është me famë dhe shërimin atje e kanë gjetur edhe shumë yje të futbollit botëror, mes tyre edhe Kristiano Ronaldo. Drejtuesit e klubit vendosën që Arapi të bëjë terapinë “magjike” në Serbi, që të jetë i gatshëm për ndeshjen e javës tjetër me Kukësin. Nuk dihet sa ditë do të qëndrojë në Serbi lojtari i Teutës, por ka shumë besim se pas kthimit do të jetë gati për trajnerin Martini.

NDAJ SKËNDERBEUT

Problemet për skuadrën durrsake para transfertës së Korçës janë të shumta, kështu që stafi teknik duhet të bëjë disa modifiko, por fatmirësisht nuk mungojnë alternativat. Kapiteni Arapi konsiderohet mungesë e sigurt nga dëmtimi që po kalon.

lorenco vila

Një mungesë me peshë është edhe Lorenco Vila, i cili është i detyruar që të pushojë këtë javë, pasi është i pezulluar nga plotësimi i numrit katër të kartonëve të verdhë. Referuar stërvitjes së fundit, trajneri Edi Martini i ka planifikuar zëvendësuesit e tyre. Teuta pritet të mbështetet në këtë transfertë te lojtarët bazë, si Hoxha, Aleksi, Todorovski, E.Vila, Çyrbja deri tek Ide Gomes.

GRIPI

Te Teuta ka alarm gripi, pasi në disa seanca kanë munguar disa lojtarë që kanë qenë me virozë. Stivi Frashëri dhe Albano Aleski munguan të mërkurën për shkak të temperaturës së lartë, por dje ata kenë qenë të pranishëm në stërvitje. Rubin Hebaj është rikthyer të stërvitet me grupin dhe duket se e ka hedhur pas problemin gripal.

Martini-Teuta-e1576506342842

PËRGATITJET

Trajneri Martini ka kërkuar nga ekipi që të vijojë me ecurinë e mirë dhe të marrë trepikëshin e radhës në Korçë. Sa i përket pjesës taktike, stafi është fokusuar te qarkullimi i topit, një nga pikat ku trajneri shkodran kërkon të ngulmojë për të ndryshuar mënyrën se si skuadra e interpreton lojën.

Në mungesë të Arapit, parashikohet të luajë Hreljiç. Në fund të seancës së djeshme trajneri Martini ka organizuar një ndeshje brenda grupit, me synimin e vetëm për të parë gjendjen e lojtarëve, por edhe për të krijuar një ide për lojtarët që do zbresin në fushë ndaj Skënderbeut. Parashikohet që të ketë edhe ndonjë ndryshim nga formacioni i 22 javëve të para, pasi trajneri do të ketë shansin të provojë lojtarë në ato reparte ku do të ketë mungesa në sfidën e nesërme.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"