Probleme te Apolonia, operohet Gjata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2022 | 21:58

Probleme te Apolonia, operohet Gjata

Apolonia nuk ka në plan që të ndalet. Edhe pse i pret një transfertë delikate, fierakët i bëjnë llogaritë me pikë. Fitorja do të ishte super, e megjithatë as barazimit nuk do t’i bënin “bisht”.

Apolonia

Juri Kanarsa ka pasur një grup të plotë gjatë seancës së djeshme dhe kjo i ka dhënë mundësi që të provojë disa skema dhe punojë me dy fazat e lojës. Skuadra ka pësuar rritje të ndejshme në lojë, por edhe në renditje. Të joshur nga kjo, ambicia po shtohet.

Trajneri italian i druhet euforisë dhe herë pas here, mundohet që t’i ulë me këmbë në tokë. Vazhdimisht u kujton se është vetëm gjysma e rrugës dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për vështirësitë në ndeshjet e ardhshme: “Sërish luajmë në transfertë, por mund të marrim një rezultat pozitiv që na shërben për vazhdimësinë. Së bashku mund të arrijmë shumë dhe asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm”.

Një lajm i mirë vjen për mbrojtësin Eljo Gjata, i cili është operuar pas dëmtimit që pësoi në gju vitin e kaluar. E megjithatë, rikthimi në fushë do ende kohë. Sakaq, mesfushori Enez Papaj vijon të stërvitet i veçuar dhe kryesisht në palestër.

Ai është operuar pak javë më parë. Rikuperimi i tij do kohën e vet dhe nuk mendohet të bëhet pjesë e skuadrës për fazën e dytë të kampionatit. Mjekët po i ndjekin me kujdes lojtarët dhe duan që këta të rikthehen shumë shpejt në 100% e tyre.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"