Probleme serioze me sinozitin, Ronaldo në dyshim për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2020 | 8:31

Probleme serioze me sinozitin, Ronaldo në dyshim për…

Në momentin më të mirë të tij, Kris tiano Ronaldo rrezikon që të ndalet. Por këtë herë nuk është një dëmtim ai që duket se mund të mbajë jashtë fushave të lojës yllin e Juventusit, por është një “goditje” sinoziti. Prej saj, portugezi nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e djeshme dhe ende sot nuk dihet nëse ai do të jetë në dispozicion për duelin e të dielës kundër Parmës apo jo, në orën 20:45. 

Cristiano-Ronaldo-vs-Lazio

Fakti që për të dytën ditë me radhë 34-vjeçari nuk është stërvitur, sigurisht që nuk është një sinjal i mirë për trajnerin Mauricio Sarri, por gjithsesi diçka më konkrete do të mësohet paraditen e sotme, kur është programuar edhe stërvitja e radhës.

GOLAT NË SHTËPI 

Efekti “stadium”, por edhe falë “efektit Ronaldo”, Juventusi duket sikur i nis ndeshjet në avantazh 1-0, në Torino. Që kur është hapur impianti i ri bardhezi, në vitin 2011, “Zonja e Vjetër” ka një rendiment diktatorial në kampionat, pasi në “Allianz Stadium” mesatarja e fitoreve është thuajse 84 për qind. E thënë ndryshe 135 fitore, 21 barazime dhe vetëm 5 humbje në 161 ndeshje të luajtura. Këto shifra tregojnë qartësisht se rruga e tetë titujve radhazi për “Madamën” është ndërtuar në strofkën e tyre. Por sivjet, për kundërshtarët që i bëjnë vizitë Juves në “Allianz Stadium”, detyrat për të marrë pikë në Torino janë bërë dyfish më të vështira, falë edhe Kristiano Ronaldos.

cristiano-ronaldo-juventus-2019-20_1ugf7srkqp2ebzuj0obywuoky (1)

Pikërisht kështu, sepse me përjashtim të Milanit, në mbrëmjen tashmë të famshme kur ai u thirr në stol që në minutën e 55-të, portugezi ka arritur të lërë vulën e tij në të gjitha 9 takimet e tjera. Goditjet e CR7-ës nisën ndaj Napolit (shënoi golin e 3-0, ndërsa ndeshja u fitua më pas 4-3); për të vazhduar më pas me Veronën (penalltia decizive e 2-1); SPAL-in (goditja me kokë e 2-0); Bolonjën (goli që zhbllokoi ndeshjen, më pas përfundoi 2-1); Xhenoan (penalltia decizive e 2-1 në minutën e 96- të); Sasuolo (goli i 2-2 nga penalltia që shmangu humbjen); Udinezen (dopietë në 3-1 final) dhe Kaljarin (tripletë personale në suksesin 4- 0).

RONALDO

Totali: 11 gola në 9 ndeshje në shtëpi, ndërsa shifra totale është 14 gola në 16 prezenca, në 1404 minuta të grumbulluara në total në fazën e parë. Praktikisht, në sezonin e tij të dytë në Serinë A, CR7 shënon me një mesatare 1 gol çdo 100 minuta lojë, kundrejt 1 në 128 minuta nga sezoni i parë në Itali. Madje, ndryshe nga sivjet, edhe trendi i golave ka ndryshuar, duke qenë se Ronaldo vjet shënonte më shpesh në transfertë (11 herë) sesa në shtëpi (10 herë). Gjithsesi, në pritje të fundjavës së ardhshme, të gjithë tifozët shpresojnë që sinoziti të mos e pengojë që të jetë në fushë, për të vazhduar trendin e tij të të shënuarit, duke nisur nga dueli i parë i fazës së dytë, në “Allianz Stadium” kundër Parmës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"