Probleme për sulmuesin e Luftëtarit, drejtori Dadaj: Me tifozët ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 20:28

Probleme për sulmuesin e Luftëtarit, drejtori Dadaj: Me tifozët ia dalim

Nuk është e thënë që Luftëtari të jetë i plotë. U kthye në stërvitje mbrojtësi Aurel Demo, por dje ka munguar sulmuesi Andi Renja. 

luftetari

I pari nuk mori ngarkesë të plotë, por dha sinjale të mira para përballjes delikate me Vllazninë. Ndërsa i dyti është i sëmurë, ndaj është detyruar që të kryejë vetëm vrap. Këtë e konfirmoi edhe vetë lojtari, ndërsa për “Panorama Sport” sqaroi: “Kam bërë vetëm vrapime të lehta prej gjendjes gripale”.

Drejtori sportiv Artur Dadaj nga ana tjetër pret kthesën. Fitoren e sheh si shpëtim, ndërsa nuk ngurron që t’u bëjë thirrje gjirokastritëve që të jenë në krah të ekipit këtë fundjavë. “Është pa dyshim ndeshje e vështirë, ndaj një emri të madh të futbollit shqiptar. Pozita aktuale në klasifikimin e skuadrës, për lojtarët kthehet në një motiv më shumë për të fituar përballë Vllaznisë. Çdo rezultat tjetër veç fitores do përçonte situatë jo të mirë psikologjike brenda grupit. Stafi teknik në ditët e ndërprerjes së kampionatit po punon fuqishëm për t’u përmirësuar gjatë rrugës për javën e 14-të. Disa nga futbollistët e dëmtuar javën e shkuar janë rikuperuar dhe ky është një lajm i mirë për Luftëtarin. Ka munguar Renja, por për arsye shëndetësore. Ndaj edhe nuk u stërvit me grupin”, tha fillimisht Dadaj për gazetën.

artur dadaj

Më tej, ai u bën apel tifozëve që të tejmbushin stadiumin, pasi Luftëtari më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. “Më duhet të them se kemi nevojë më shumë se kurrë për tifozët këtë të shtunë. Është momenti që ata të jenë të shumtë në numër dhe në mbështetje të ekipit të qytetit”, përfundoi drejtori.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"