Probleme për Dajën e Mijën, Simoni edhe një muaj… blu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2022 | 15:59

Probleme për Dajën e Mijën, Simoni edhe një muaj… blu

Shtohen problemet te Dinamo. Përveç mungesave të zakonshme, kundër Vorës nuk luajtën as Asion Daja me Alesio Mijën.

20

I pari ka qenë me temperaturë dhe nuk u aktivizua në atë miqësore, por dje ai është stërvitur bashkë me grupin. Në stërvitje pritet të rikthehet edhe i dyti. Mbrojtësi ka pasur një dëmtim në kavilje dhe ka qëndruar disa ditë jashtë, por bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë dhe sot do të jetë nën urdhrat e trajnerit Nevi Dede. Jashtë skuadre mbeten aktualisht Ersil Ymeri dhe Eni Imami.

SIMONI – Sa herë që flitet për Simon Simonin, pyetja e parë është: Kur do të largohet për një kampionat të huaj? Lezhjani 18-vjeçar ka rënë në sy me performancën e tij, që e ka çuar deri në Kombëtaren A dhe transferimi në një kampionat të nivelit të lartë europian është vetëm çështje javësh, ose edhe ditësh. Në janar “gardiani” pritet të lërë blutë për të filluar një aventurë të re, sipas të gjitha gjasave në Gjermani. Vetë portieri nuk prononcohet, sepse klubi ka vendosur heshtje shtypi prej disa javësh. Edhe në klubin e Dinamos e shmangin këtë çështje për disa arsye, duke ia lënë gjithçka kohës. Megjithatë, gazeta mëson nga burime të besueshme se janari do ta gjejë Simon Simonin me ekip të ri.

Një lëvizje e rëndësishme kjo si për vetë futbollistin, por edhe për klubin kryeqytetas, që pritet të arkëtojë një shumë të konsiderueshme nga shitja e ‘xhevahirit’ të vet. Detajet e sakta të transferimit do të mësohen sapo portieri të hedhë te zezën mbi të bardhë, por është fakt tashmë se klubet e kanë arritur akordin mes tyre. Edhe në moshë shumë të re, Simoni është një profesionist i vërtetë. Ai e ka të qartë se shumë shpejt do të largohet nga Dinamo, por nuk kursehet aspak për këtë klub, që i dha mundësinë e debutimit në Superiore sezonin e kaluar. E tregon qartë fakti se gjatë kësaj jave portieri lezhjan luajti dy ndeshje brenda dy ditësh. Të martën ai u aktivizua me Dinamon U-21 në një ndeshje zyrtare dhe një ditë më pas ishte titullar në miqësoren me Vorën.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"