Probleme në metrat e fundit, Teuta “var” shpresat te… Kallaku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 15:31

Probleme në metrat e fundit, Teuta “var” shpresat te… Kallaku

Teuta i var shpresat te Sherif Kallaku. Edhe pse Bledi Shkëmbi kërkoi që ekipi të mësohet pa të, në një moment ku duhet kthesa me urgjencë, rikthimi i mesfushorit shihet si zgjidhja e vetme. Skuadra po vuan ndjeshëm në 30 metrat e fundit dhe kanë dalë në konkluzionin se 21-vjeçari mund të kthejë normalitetin dhe të korrigjojë këtë defekt.

sherif kallaku teuta

Lojtari është rikuperuar dhe në fakt ishte gati që ndaj Skënderbeut, por stafi mjekësor dhe ai teknik menduan që të mos e rrezikonin. Tashmë që ka edhe disa ditë të tjera në dispozicion që të rifitojë gjendjen optimalë, mund të themi se ai do të jetë gati për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, që durrsakët do ta luajnë në “Niko Dovana” me Kukësin.

Ai dje ka nisur stërvitjen me grupin, madje me program të plotë, duke konfirmuar gatishmërinë për 90 minutat e ardhshme. Bledi Shkëmbi ka bërë llogaritë me mungesat gjatë ndeshjeve të fundit. Veç dëmtimeve, kanë vuajtur edhe pezullimet. Këtë javë mungon Albano Aleksi, që mori kartonin e katërt të verdhë. Përgatitjet – Pas pushimit të së dielës, Teuta ka nisur dje direkt përgatitjet për ndeshjen e radhës. Këtë javë do të masin forcat me verilindorët.

teuta

Kjo është një sfidë që për durrsakët vlen shumë, aq më tepër që luajnë me një kundërshtar që lufton për titull dhe mbi të gjitha në Durrës vjen me moral të lartë pas fitores me Tiranën. Seanca e djeshme ka pasur ngarkesë maksimale. Kohë për të humbur nuk ka, ndaj edhe Bledi Shkëmbi është shfaqur kërkues.

Seanca u krye në kompleksin “Olympic Park”, pasi siç dihet stadiumi “Niko Dovana” është duke u përdorur për emergjencat e tërmeteve që kanë pushtuar Shqipërinë. Puna nisi si zakonisht me nxemje dhe me një vrapim të lehtë. Stërvitjen e vazhduan me ushtrime fizike dhe lojë me top dhe vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit është mjaft pozitive, aq sa të gjithë duken besimplotë për kthesën.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"