Probleme në mbrojtje për Ndreun, Halilaj: Tentojmë fitore edhe ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 10:14

Probleme në mbrojtje për Ndreun, Halilaj: Tentojmë fitore edhe ndaj Vllaznisë

Trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, është me dhimbje koke përpara ndeshjes me Vllazninë, pasi duhet të “sajojë” ndryshime të shumta për të krijuar repartin e mbrojtjes. Skuadra e Kamzës ka shumë probleme dhe mungesa për shkak të dëmtimeve dhe kartonëve.

kamza

Janë pesë lojtarë titullarë, të cilët nuk do të japin kontributin e tyre për sfidën ndaj kuqebluve, e cila është shumë e rëndësishme për fatet e sezonit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Fushtar, i cili është një nga liderët e mbrojtjes, por u ndëshkua me karton të kuq, për Mehmetin, Kuqin dhe Mustafën të dëmtuar. Po ashtu, edhe Plaku nuk ia ka dalë të rikthehet.

HALILAJ

Edhe pse skuadra e Kamzës do ta ndiejë së tepërmi mungesën e këtyre titullarëve, atmosfera në këtë skuadër tashmë është e ndezur dhe presin një tjetër fitore ndaj Vllaznisë pas triumfit në Gjirokastër. Tashmë ajo renditet e pesta, që është dhe mesi i artë në tabelë. Me këtë ecuri, Kamza konfirmon edhe një herë që do të jetë ekipi surprizë i Superiores, që do t’i rezistojë mbijetesës.

Për këtë, portieri Argent Halilaj, i cili shpëtoi skuadrën në disa raste të pastra të gjirokastritëve, pavarësisht asaj dalje të gabuar kur pësoi dhe golin e vetëm në këtë ndeshje, për gazetën thotë: “Pa dyshim, ecuria e deritanishme e ekipit tonë është bindëse. Jemi në rrugën e duhur për objektivin që kemi. Gjithsesi, duhet të përqendrohemi për ndeshjen e ardhshme, ku shpresojmë që ta finalizojmë me sukses edhe këtë takim, ku përsëri ne do të tentojmë të marrim trepikëshin”, tha portieri i Kamzës.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"