Probleme me rrogat, Stojku i merr kapitenin Sopotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2015 | 13:45

Probleme me rrogat, Stojku i merr kapitenin Sopotit

SopotiTeksa librazhdasit e Sopotit po përgatiten këtë javë në Pezë për sfidën e së shtunës me Shkumbinin, diçka jo e zakonshme po ndodh në këtë skuadër.

Kapiteni i skuadrës, Marildo Lezi, që të shtunën e aktivizua në formacionin në përballjen me Pogradecin, dje është aktivizuar me ekipin e Sopotit B në një ndeshje që kjo skuadër ka luajtur në Kategorinë e Tretë. Mungesa e Lezit gjatë kësaj jave në seancat stërvitore ka ngjallur dyshime tek të gjithë, si lojtarë dhe drejtues. Lezi kishte sqaruar se mungonte për shkak të një tërheqje muskulare në kofshën e djathtë që e bëri të linte fushën në minutën e 60-të në sfidën me Pogradecin.

Historia

Por, teksa si fillim kjo histori u besua, me aktivizimin e Lezit te Sopoti B zbulohen prapaskenat e kësaj lëvizjeje të kapitenit. Nga burime konfidenciale mësohet se Lezi ka pasur qejfmbetje me administratorin e klubit, Iridion Bahiti, i cili i ka mbajtur këtij të fundit, por edhe lojtarëve të tjerë gjysmën e rrogës së muajit tetor. Kjo për shkak se ekipi nuk ka arritur rezultatet e duhura në këto javë. Por, nëse lojtarët e tjerë nuk janë ndier për këtë fakt, kapiteni Lezi nuk është pajtuar me këtë gjë dhe gradualisht ka menduar të largohet nga ekipi. Fillimisht duke thënë se nuk ndihej mirë fizikisht dhe se kishte pësuar një tërheqje muskulare në kofshë.

Lezi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, as i ka konfirmuar, as mohuar këto fjalë. Mësohet se mes Bahitit dhe Lezit ka pasur zënka këto javët e fundit dhe largimi i kapitenit ka qenë më herët i paralajmëruar. Shkak i zënkave janë bërë analizat dhe kritikat jo profesionale të Bahitit ndaj kapitenit. Burime të sigurta bëjnë të ditur se ka pasur një bisedë ndërmjet trajnerit të Pogradecit, Gentjan Stojku dhe Lezit që ky i fundit t’u bashkohet liqenorëve në janar. Tekniku e njeh mirë lojtarin, pasi e ka drejtuar sezonin e kaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"